Kandidatja e krahut të djathtë, Keiko Fujimori, është shpallur zyrtarisht fituese e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Peru, tre javë pas mbajtjes së votimeve.
Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga Zyra Kombëtare e Proceseve Zgjedhore (ONPE), Fujimori siguroi 50.13% të votave, ndërsa kundërshtari i saj, Roberto Sanchez, mori 49.86%. Diferenca mes dy kandidatëve ishte më pak se 50 mijë vota nga mbi 18 milionë vota të hedhura, duke e bërë këtë një nga garat më të ngushta në historinë e Amerikës Latine.
Fitorja e 51-vjeçares shënon rikthimin në pushtet të fujimorizmit, më shumë se dy dekada pas përfundimit të qeverisjes së babait të saj, Alberto Fujimori, i cili drejtoi Perun nga viti 1990 deri në vitin 2000. Ish-presidenti u largua nga pushteti mes skandaleve dhe më pas u dënua për korrupsion dhe krime kundër njerëzimit.
Kampi i Keiko Fujimorit priste prej ditësh zyrtarizimin e fitores, pasi kandidatja e partisë Fuerza Popular kishte krijuar një epërsi që, sipas llogaritjeve të autoriteteve zgjedhore, nuk mund të përmbysej më.
Nga ana tjetër, Roberto Sanchez, 57 vjeç, i konsideruar si trashëgimtari politik i ish-presidentit Pedro Castillo, ka lënë të kuptohet se nuk do ta njohë rezultatin. Ai ka kërkuar anulimin e votave të diasporës peruane, duke pretenduar se ato janë shoqëruar me parregullsi dhe kanë ndikuar në fitoren e kundërshtares së tij.
Të shtunën, Sanchez udhëhoqi për të dytën fundjavë radhazi një marshim proteste në kryeqytetin Lima, ku qindra mbështetës denoncuan atë që e cilësuan si “një sulm serioz ndaj procesit zgjedhor”.
“Do t’u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare të njohin vullnetin e popullit”, deklaroi ai gjatë një fjalimi para protestuesve.
Zgjedhjet pritet t’i japin fund një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie politike në Peru, vend që ka pasur tetë presidentë që nga viti 2016, si pasojë e krizave të njëpasnjëshme institucionale dhe politike.
Dorëzimi i pushtetit nga presidenti në detyrë, José María Balcázar, është planifikuar të zhvillohet më 28 korrik. Sipas Kushtetutës së Perusë, mandati presidencial zgjat pesë vjet.
Pas shpalljes së rezultateve, Keiko Fujimori pranoi se do të marrë drejtimin e një vendi të thellësisht të polarizuar dhe bëri thirrje për dialog.
“Ne e dimë që vendi është i ndarë. Kemi një përgjegjësi të madhe për të dëgjuar të dyja palët. Dera e dialogut është e hapur për Roberto Sanchez dhe për të gjitha forcat politike”, u shpreh ajo.
Në një postim në rrjetet sociale, Fujimori shtoi se Peruja duhet të ecë drejt “rendit dhe shpresës për të gjithë qytetarët”, duke premtuar një qeverisje të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.










