Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot se PS ka një kontratë me shqiptarët dhe do të vazhdojë të ecë përpara.

Në një aktivitet të organizuar në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, në Gjirokastër, Klosi theksoi se në gurët e themelit të PS-së qëndron besnikëria, ideali, shqiptaria dhe kërkesa për të bërë më të mirën për këtë vend.

“Në 35 vite histori ne i kemi shërbyer Shqipërisë. Në 35-vjetorin tonë ne vijmë me shumë detyra të realizuara. Jemi kaq pranë integrimit në BE, realizimit të një ëndrre të madhe të themeluesve tanë”, tha ai.

Sipas Klosit, “nën drejtimin e Edi Ramës, PS është shndërruar në një mekanizëm të fortë politik fitues”.

“Vijmë si një organizatë e cila i ka sjellë plot 83 mandate në parlament. 53% e votës së shqiptarëve na kanë votuar ne, programin tonë. Kanë votuar Gjirokastrën europiane, kanë votuar këto investime që e bëjnë Gjirokastrën të mbushur plotë me turistë nga e gjithë bota”, shtoi ai.

Por, sipas tij, PS nuk ka marrë 100% të votave të shqiptarëve. “Ne kemi marrë 53% të gjithë elektoratit që na ka votuar. Kemi marrë 62% të votës së emigrantëve. S’i kemi marrë të gjithë votat. Pra kemi dhe njerëz që na kundërshtojnë dhe kjo është shumë gjë e mirë. Kemi dhe njerëz që kërkojnë që ne të përmirësohemi dhe kjo është shumë e mirë, por ama ne kemi një kontratë me shqiptarët dhe do të vazhdojmë të ecim përpara”, tha Klosi.

Klosi theksoi se se PS është e vendosur ta çojë Shqipërinë përpara, ta anëtarësojë në BE dhe të krijojë mirëqennie për qytetarët shqiptarë.

Ndërsa drejtuesja politike e PS-së në qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro vlerësoi se banorët e qarkut të Gjirokastrës në të shtatë bashkitë me shumicë mbi 76% i besojnë PS-së.

“Kjo forcë politike ka ditur të bëjë debate publike dhe do të vazhdojë t’i bëjë dhe sot që flasim edhe me protestat, dhe me diskutimet dhe me kundërshtimet, sepse Shqipëria është një vend i lirë, është një vend demokratik dhe projektet e zhvillimit kalojnë pikërisht përmes debatit”, tha Kumbaro.

Sipas saj, “çdo iniciativë që është marrë në Gjirokastër praktikisht gjeneron ekonomi dhe i bën të rinjtë të kthehen”.

“Ne kemi shumë arsye të fitojmë edhe shumë arsye të festojmë, sepse premtimin që bëmë në fushatën një vit më parë të angazhimit tonë në integrimin europian, po e bëjmë realitet nga java në javë, nga muaji në muaj”, tha ajo.