Mbi 6 mijë e 500 vende të lira pune janë aktualisht të hapura në të gjithë vendin përmes portalit puna.gov.al, sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Pozicionet e shpallura përfshijnë sektorë të ndryshëm dhe u drejtohen kandidatëve me nivele të ndryshme arsimore, nga arsimi profesional dhe i mesëm deri te profesionet që kërkojnë diplomë universitare apo kualifikime të specializuara.

Sipas AKPA-së, mundësitë janë të shumta si për qytetarët që janë në kërkim të një pune, ashtu edhe për ata që synojnë të ndryshojnë profesion apo të ndërtojnë një karrierë të re.

Mes profesioneve më të kërkuara aktualisht renditen ekonomistët, menaxherët, specialistët e komunikimit, inxhinierët mekanikë, zhvilluesit e programeve kompjuterike, inxhinierët civilë, specialistët e financës, drejtuesit në tregti dhe inxhinierët e elektroteknologjisë.

Këto pozicione lidhen kryesisht me sektorë që kërkojnë staf të kualifikuar dhe specialistë për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre.

Kërkesa mbetet e lartë edhe për profesione që nuk kërkojnë domosdoshmërisht diplomë universitare, veçanërisht në shërbime, prodhim dhe ndërtim.

Punëdhënësit kërkojnë punonjës pastrimi, punëtorë ndërtimi, ndihmës-kuzhinierë, rrobaqepës, sistemues mallrash, prodhues këpucësh, kamarierë, shitës, shoferë të mjeteve të rënda, kuzhinierë dhe banakierë.

Aplikimi për vendet e lira mund të kryhet online përmes portalit puna.gov.al.

Qytetarët që kanë nevojë për ndihmë gjatë aplikimit mund t’u drejtohen zyrave të punësimit ose të kontaktojnë Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive përmes emailit dhe WhatsApp-it.