Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është pritur në Parlamentin e Shtetit të Nju Xhersit nga guvernatorja Mikie Sherrill dhe gjeneral Brigade Yvonne L. Mays, adjutante e Përgjithshme e shtetit të Nju Xhersit dhe komisionere për Çështjet Ushtarake.

Kjo vizitë përbën ndalesën e parë në kuadër të aktiviteteve të organizuara për 25-vjetorin e partneritetit të suksesshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, një bashkëpunim që ka kontribuar ndjeshëm në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, sigurisë dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet dy vendeve aleate.

“Partneriteti strategjik me SHBA mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës sonë të sigurisë dhe mbrojtjes. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aleate e besueshme, duke kontribuuar me përgjegjësi për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e përbashkët” – u shpreh ministri Nufi në publikimin e tij në rrjete sociale.

Përgjatë kësaj jave në SHBA, ministri Nufi do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh në Nju Xhersi në kuadër të 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror, ndërsa do të udhëtojë edhe në Uashington për takime dhe bisedime dypalëshe në fushën e mbrojtjes.