Qarkullimi i motoçikletave në korsitë e dedikuara për biçikleta vijon të mbetet një problematikë e pranishme në rrugët e kryeqytetit, duke krijuar rreziqe për sigurinë e përdoruesve të këtyre hapësirave.
Pavarësisht sinjalistikës dhe rregullave që përcaktojnë përdorimin e korsive të biçikletave, në shumë segmente rrugore vërehet prania e motoçikletave si dhe këmbësorëve, të cilat i shfrytëzojnë këto korsi për të shmangur trafikun e rënduar.
Pamjet e vëzhguara nga ATSH në disa prej akseve kryesore të Tiranës tregojnë se motoçikletat qarkullojnë shpesh në korsitë e rezervuara për çiklistët, duke detyruar këta të fundit të ndryshojnë trajektoren ose të dalin nga hapësira e dedikuar për lëvizjen e tyre.
Situata bëhet më problematike gjatë orëve të pikut, kur fluksi i mjeteve në rrugë rritet ndjeshëm dhe bashkëndarja e korsive mes biçikletave dhe motoçikletave shton rrezikun e aksidenteve.
Sipas Kodit Rrugor, korsitë e biçikletave janë të destinuara ekskluzivisht për biçikleta dhe mjete të ngjashme të lëvizjes së lehtë, ndërsa përdorimi i tyre nga motoçikletat përbën shkelje të rregullave të qarkullimit.
Ndërtimi i infrastrukturës së dedikuar për çiklistët ka qenë pjesë e politikave për nxitjen e transportit të qëndrueshëm, uljen e ndotjes dhe përmirësimin e lëvizshmërisë urbane.
Në këtë kuadër, respektimi i korsive të biçikletave mbetet një element i rëndësishëm për garantimin e sigurisë dhe funksionimin e tyre sipas qëllimit për të cilin janë krijuar.










