Nga Frrok Çupi/

Në bulevardin e madh të Tiranës po ngjizet një lëvizje me shenja dalluese neo- naziste. Që nesër të mos jetë vonë.

Në hartën e botës deri më sot ishim një nga të rrallët që nuk kishim ‘njollë’ të nazistëve të rinj. Që në Luftën e Dytë, Shqipëria mbajti krahun e duhur të forcave të ndritura antinaziste.

Le të shikojmë pas një viti a më shumë, kur në atlasin e gjurmëve neo- naziste, mund të jetë Tirana.

Në vend të kryqit të thyer, për publikun, shfaqet figura e flamengos. Një zog që fluturon shkurt, po ngarkohet me barrën e rëndë simbolike të një neverie botërore shekullore kundër nazizmit.

Edhe lëvizja e re Tiranës deri tani e ka rrugën të shkurtër. Nga bulevardi po në bulevard. Përtej bulevardit ka njerëz, atje ende nuk mund të penetrojnë.
Ndërsa brenda bulevardit zbatojnë me zjarr e hekur tiparet e tyre.

Tipari i linçimit të tjetrit:

Dje, pasdite, një djalosh tiranas me qen, bëri rrugën e zakonshme mes përmes parqeve të Tiranës. Ata, që po zaptonin bulevardin, e pikasën se nuk ishte i tyre. Dhanë shenja nga cepi më cep se ‘dikush ka hyrë’. Ca vetulla u ngrysën dhe dhanë shenjë për vigjilencë. Ca mjekra u drejtuan për nga djali me qen. Atëherë shpërtheu. Dikush thërriti “Ja çifuti!’. Djali nga Tirana, veshur me ‘të shkurtër’ u bëri një shenjë me duar mes shalëve. Ata e ndoqën, e ndoqën si gjarprin që i kishte kafshuar. Do ta kishin eliminuar. Por ndjenë frikë nga qeni ‘pitbull’.

Tipari antisemitik:

Kjo shtyllë ulëritëse u ngrit që në ditën e dytë të formësimit të tyre. Ata, ende nuk janë formësuar si ‘program’, si ‘ide’, si ‘afat’; por urrejtjen, sidomos urrejtjen kundër hebrenjve e kanë në hundë, në buzë, në nerv, në djersë. Fjala e parë që thanë kundër ‘armikut me qen në qytetin e tij’, ishte sharja ‘çifut’. Herë të tjera kanë lëshuar thirrje të gjata ‘pro Palestinë!’, ‘kundër Izrael’. Fjalën Izrael e thërrasin më rrallë, vetëm atëherë kur thonë se ‘po vjen Izraeli të na pushtojë’. Herë të tjera thonë ‘çifut’. Kjo është një fjalë shumë fyese për izraelitët, e bustuar fuqishëm nga regjimi hitlerian. Nazizmi, brenda 3 vjetësh, 1941-45, vrau 6 milionë izraelitë, ose dy të tretat e gjithë popullsisë Hebreje. Këta e kanë ‘bukën e përditshme’ urrejtjen ndaj hebrenjve. Njëri nga drejtuesit e Lëvizjes, i quajtur ‘avokati’, tha publikisht se ‘këta i quaj çifutë, por nuk na lejojnë tu themi kështu e do t’i quaj ‘çufo’”. E tha në intervistë me një media kosovare.

Paformësimi, ose anarkia mashtruese:

Edhe disa nga ata që të nxjerrin sytë për ‘lëvizjen’, edhe ata nuk mund të thonë se ‘çfarë janë këta?’. A janë naivë, a janë për të bllokuar punët e investimet në Shqipëri, a janë ngjyrë flamengo por zog tjetër, a janë blu, të kuq, të verdhë. Askush nuk di. Janë pa formë. Vallë nuk guxojnë të thonë se ‘çfarë janë’, apo as vetë nuk e dinë dhe mund të bëhen çfarëdo lloj acidi.

Historiani Marenglen Kasmi dje sillte një pamje të tyre tek i sodiste në turmë diku në Rruga e Durrësit. ‘Dikush mbante portretin e Che Gue Varrës, dikush Adolf Hitlerin, poshtë fotos së Hitlerit ‘ishte shkruar një mesazh vulgar ndaj izraelitëve’.

Autori i quan ‘panair i kotësive’, gjë që është pamja më reale nga jashtë.

Çfarë kanë përbrenda? Vallë presin ngucje nga jashtë, fuqi të tjera antisemitiste, apo nga ‘Versaja’ e Adolfit? Deri më tani, në mënyrë instinktive, luftojnë cilindo që nuk është si këta, cilindo që flet mirë për vendin, cilindo që nuk u vjen për fije.
Cilët janë ndryshe prej këtyre?

Pyetja zbulon një tipar tjetër të ‘Lëvizjes’. Njeriun ndryshe, i cili ndodhet kudo, fatmirësisht; këta e linçojnë. Organizatat e para ‘pa formë’ janë elementët e parë të kaosit. Në kaos, vendi ynë ka qenë disa herë pas vitit 1992. Kthimi te ajo pikë mund t’i kthejë naziskinët në kryqëzata. Kërkojnë vdekjen e kryeministrit, vdekjen e projekteve, të investimeve. Njëri prej tyre dje u duartrokit pse deklasoi se ‘Edi Ramën do ta varim këtu!’. Pardje kanë shqyer flamurin simbol të komunitetit LGBT. Pastaj mund të ndodhë me njerëzit ezmerë. Pastaj me shqiptarët që dinë të flasin mirë gjuhen shqipe.

Vëmendje: Po formësohet një lëvizje neo- naziste. Që nesër të mos jetë vonë.