Nga Ermal Peçi

Çështja e “non gratës” së Sali Berishës mbetet një nga temat më të debatuara në politikën shqiptare.

Pesë vite pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur atë dhe familjen e tij persona të papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, debati jo vetëm që nuk është mbyllur, por ka hyrë në një fazë të re.

Këtë herë, jo për shkak të një vendimi të ri publik amerikan, por për shkak të mënyrës se si vetë Berisha po e paraqet atë.

Në daljet e tij publike, lideri historik i Partisë Demokratike ka krijuar përshtypjen se historia e “non gratës” ka marrë fund dhe se akuzat mbi të cilat u mbështet vendimi i vitit 2021 janë shembur. Por dokumentet, deklaratat dhe formulimet e publikuara deri tani tregojnë një histori shumë më komplekse.

Prandaj pyetja nuk është nëse Berisha mund të udhëtojë në SHBA.

Pyetja është: Çfarë nuk po na thotë Berisha?

Debati duket se sillet rreth një termi juridik që në Shqipëri po trajtohet si një detaj teknik, por që në fakt është thelbi i gjithë çështjes: (përjashtim)

Nëse interpretimet e publikuara deri tani janë të sakta, atëherë Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka hequr dizenjimin e Berishës sipas Seksionit 7031(c), por ka përdorur një mekanizëm ligjor që lejon përjashtime të kufizuara në raste të veçanta.

Ky dallim është vendimtar. Një gjë është të hiqet një sanksion.

Krejt tjetër gjë është të lejohet një përjashtim nga zbatimi i tij. Ligji amerikan parashikon dy baza kryesore për një përjashtim.

E para është klauzola e “interesit kombëtar bindës”, ku Shtetet e Bashkuara mund të lejojnë hyrjen e një individi të sanksionuar pa ndryshuar aspak statusin e tij juridik. Kjo është një klauzolë politike dhe strategjike, jo një vlerësim mbi fajësinë apo pafajësinë.

E dyta është klauzola që lidhet me ndryshimin e rrethanave, ku supozohet se baza që ka çuar në shpalljen e personit të papranueshëm nuk qëndron më.

Dallimi mes këtyre dy formulave është thelbësor. E para mban të pandryshuar akuzën, e dyta do të nënkuptonte rrëzim të saj.

Nëse SHBA do të kishte arritur në përfundimin se akuzat ndaj Berishës nuk qëndrojnë më, logjikisht do të kishte përdorur klauzolën e ndryshimit të rrethanave dhe do ta kishte deklaruar qartë. Por deri tani nuk ekziston asnjë deklaratë zyrtare amerikane që të thotë se vendimi i vitit 2021 është rrëzuar.

Ajo që është bërë publike lidhet me një waiver të mundshëm, i cili në praktikë mund të jetë edhe për arsye humanitare, për interes kombëtar amerikan, apo për detyrime të veçanta diplomatike. Por në asnjë rast kjo nuk përbën heqje të “non gratës”.

Madje, emri i Berishës vazhdon të figurojë në listat zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit sipas Seksionit 7031(c), duke treguar se dizenjimi mbetet në fuqi.

Në këtë kuptim, përjashtimi nuk është rehabilitim politik apo juridik, por një instrument administrativ i përkohshëm, i cili lejon hyrje të kufizuar pa ndryshuar statusin bazë.

Në këtë kontekst, edhe krahasimi me raste të tjera ndërkombëtare tregon se SHBA ka qenë zakonisht e qartë kur ka ndryshuar qëndrim. Në rastin e Berishës, një deklarim i tillë nuk ekziston.

Po aq domethënëse është edhe mungesa e një ndryshimi të qëndrimit nga Britania e Madhe. Deri më sot nuk ka asnjë njoftim zyrtar që të tregojë rishikim të masave ndaj tij, ndërsa më herët ambasadori Britanik në Shqipëri ka theksuar se vendimmarrja britanike mbështetet edhe në elemente ligjore dhe procedurale, jo vetëm politike.

Por çështja nuk ndalet këtu. Dimensioni më i rëndësishëm i gjithë kësaj historie është ai institucional dhe ndërkombëtar për drejtësinë në Shqipëri.

Berisha ndodhet nën hetim nga SPAK, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje vizash apo statusi ndërkombëtar, por me një proces të mbështetur nga një bashkëpunim i drejtpërdrejtë SHBA–Britani e Madhe–Bashkimi Europian.

SPAK është ndërtuar si pjesë e reformës në drejtësi me asistencë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare, ku roli i Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve europianë ka qenë vendimtar në krijimin e strukturave të hetimit të korrupsionit të nivelit të lartë.

Në këtë kuptim, çdo interpretim politik që synon të ndajë Berishën nga kjo kornizë ndërkombëtare bie ndesh me vetë filozofinë mbi të cilën është ngritur reforma në drejtësi në Shqipëri.

Nëse hetimet e SPAK vazhdojnë, ato nuk janë një zhvillim i izoluar vendor, por pjesë e një arkitekture më të gjerë të mbështetjes ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit.

Në fund të fundit, çështja nuk lidhet vetëm me Sali Berishën. Ajo lidhet me mënyrën se si interpretohen vendimet ndërkombëtare në hapësirën publike shqiptare.

Kur një politikan pretendon se ka fituar një betejë të madhe ndërkombëtare, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dokumente, prova dhe shpjegime të plota.

Deri tani, publiku nuk ka parë një dokument që të tregojë se vendimi i vitit 2021 është rrëzuar. Nuk ka parë një deklaratë amerikane që të thotë se akuzat për korrupsion madhor nuk qëndrojnë më. Nuk ka parë asnjë ndryshim të qëndrimit britanik ndaj Berishës.

Ajo që është bërë publike deri më sot flet për një waiver, përfshirë edhe në formë humanitare apo të interesit kombëtar, pra për një përjashtim të kufizuar nga zbatimi i ndalimit të hyrjes, dhe jo për një revokim të dizenjimit.

Prandaj, më shumë sesa fundi i një historie, ajo që po shohim sot është një përpjekje për të rishkruar interpretimin e saj. Por në politikë, ashtu si në drejtësi, dokumentet kanë më shumë peshë se deklaratat, dhe faktet më shumë vlerë se interpretimet e përkohshme.

Marrë nga Mapo.al