Pavarësisht largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe pozicionimit publik në mbështetje të protestave, Deputetja Marjana Koçeku, e njohur si Neomalësorja, po përballet me një frymë mosbesimi nga një pjesë e të rinjve dhe të rejave që prej 24 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Sot, protestuesja Migi Jaku publikoi një video nga protesta, ku bashkë me miqtë e saj shfaqet duke kërkuar deputeten mes turmës. Videoja shoqërohet me këngën e Ardit Gjebreas “Ja ku jam”, ndërsa në sfond dëgjohet pjesa e njohur “të kërkoj por nuk të gjej”, një detaj që dukshwm wshtë përdorur si mesazh ironik ndaj mungesës së Koçekut në protestat e përditshme.

“Po e kemi personale me ty neomalsore. Sepse nuk të besojmë. Me statuse në rrjetet sociale nuk na prek dot më. Nëse vërtet do të jesh në anën tonë të gardhit hajde në shesh. Apo erdhe një ditë ti? Atë ditën që ishte dhe diaspora? Po që atë ditë nuk të kemi parë më? As dje, as sot. Postimet në Instagram ja kemi lënë propagandës. Ne flamingot jemi çdo ditë në shesh nga ora 19:00”, shkruan Jaku.

Mesazhi vjen vetëm pak ditë pasi Koçeku ndërmori një seri lëvizjesh që u interpretuan si distancim i hapur nga mazhoranca. Më 14 qershor ajo njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS. Një ditë më pas publikoi simbolin e flamingos, i cili është kthyer në simbol të protestave që po zhvillohen prej javësh.

Më 23 qershor deputetja i drejtoi një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku e akuzonte se po denigronte protestuesit dhe i kërkonte të dëgjonte thirrjen e tyre për dorëheqje. Në të njëjtën letër, Koçeku tregoi edhe arsyet e largimit nga PS, duke thënë se brenda partisë nuk pranohej mendimi ndryshe.

Pas largimit nga grupi parlamentar, ajo u pa edhe në protestë, duke e cilësuar përmes një postimi në rrjetet sociale si “tribunën më të bukur të demokracisë”.

Por mesa duket deklaratat dhe postimet nw rrjete socialenuk mjaftojnë, sepse sipas tyre, nëse Koçeku e ka kaluar vërtet “gardhin”, siç shkroi vetë në letrën drejtuar Ramës, atëherë duhet të jetë e pranishme përditë në shesh, aty ku sipas tyre po zhvillohet beteja politike e momentit.