Forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar kanë ndaluar një cisternë nafte të dyshuar si pjesë e flotës në hije të Rusisë në Kanalin Anglez, në një operacion që zgjati rreth 6 orë.
Sipas kryeministrit britanik Sir Keir Starmer, forcat e marinës mbretërore, së bashku me oficerë të Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit dhe mbështetje nga Forcat Ajrore, hipën në anijen “Smyrtos” në orët e para të së dielës.
Anija aktualisht po mbahet dhe po monitorohet në brigjet jugore të Anglisë, ndërsa hetimet vijojnë.
Starmer deklaroi se operacioni është një goditje ndaj Rusisë dhe një mesazh i qartë për ata që ndihmojnë luftën në Ukrainë, duke thënë se “nuk do t’u lejohet të fshihen”.
Autoritetet britanike thonë se Rusia përdor një “flotë në hije” prej qindra anijesh për të shmangur sanksionet ndërkombëtare mbi eksportet e naftës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kjo flotë transporton një pjesë të madhe të naftës së sanksionuar dhe përbën burim të rëndësishëm financiar për Kremlinin.
Në operacion morën pjesë edhe avionë ushtarakë, përfshirë një avion patrullues P-8 dhe një helikopter britanik, si dhe anije luftarake të Marinës Mbretërore. Anija, sipas të dhënave të gjurmimit detar, lundron nën flamurin e Kamerunit dhe ishte e ankoruar në Kanalin Anglez në momentin e ndërhyrjes.
Qeveria britanike ka deklaruar se ka sanksionuar mbi 500 anije dhe po synon të godasë të ardhurat e Rusisë nga nafta për të kufizuar financimin e luftës në Ukrainë.
Operacioni u zhvillua në koordinim edhe me Francën, që më herët ka kryer veprime të ngjashme ndaj anijeve të dyshuara si pjesë e së njëjtës flotë.










