Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë në gjendje të ndërmarrë një sulm ndaj NATO-s që në vitin 2030, duke theksuar nevojën që vendet aleate të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse për t’u përballur me kërcënimet e ardhshme.
Gjatë një vizite në një kompani të industrisë së mbrojtjes, Starmer deklaroi se vlerësimet e inteligjencës britanike, si dhe ato të vendeve të tjera anëtare të NATO-s, tregojnë se ekziston mundësia që Moska të jetë e gatshme për një përballje ushtarake me aleancën brenda pak vitesh.
“Sipas vlerësimit tonë të inteligjencës, si dhe atij të vendeve të tjera të NATO-s, mund të ketë një sulm rus ndaj NATO-s që në vitin 2030”, u shpreh kreu i qeverisë britanike.
Starmer paralajmëroi se situata globale e sigurisë po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, duke e cilësuar periudhën aktuale si një nga më të rrezikshmet në dekadat e fundit.
“Nuk është ekzagjerim të thuhet se po jetojmë në kohën më të rrezikshme dhe të pasigurt të jetës sonë”, tha ai, duke shtuar se është përgjegjësi e qeverisë së tij të sigurojë që vendi të jetë i përgatitur për çdo skenar.










