Policia e Shtetit ka zhvilluar një ceremoni vlerësimi për Zëvendësshefen e Misionit në detyrë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Kathryn Hammond, dhe Shefin e Zyrës Rajonale të Sigurisë, Jonathan Ellis, me rastin e përfundimit të mandateve të tyre në Shqipëri.
Ceremonia u mbajt në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, si dhe drejtues të lartë të institucionit.
Gjatë aktivitetit, Hita vlerësoi kontributin e dy zyrtarëve amerikanë në forcimin e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe amerikane, duke theksuar mbështetjen e dhënë në fusha si trajnimet, logjistika, hetimet e përbashkëta dhe shkëmbimi i informacionit.
Sipas Policisë së Shtetit, bashkëpunimi me Ambasadën Amerikane ka sjellë rezultate të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve financiare dhe krimeve ndërkufitare.
Në fjalën e tij, Hita shprehu mirënjohjen për Hammond dhe Ellis, duke nënvizuar se partneriteti mes dy vendeve do të mbetet i fortë edhe pas përfundimit të misionit të tyre në Shqipëri. Ai gjithashtu u uroi sukses në angazhimet e ardhshme profesionale.
Nga ana e tyre, Hammond dhe Ellis falënderuan Policinë e Shtetit dhe institucionet shqiptare për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë viteve të shërbimit në vend. Ata vlerësuan rezultatet e arritura në luftën kundër krimit dhe e cilësuan bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si një nga përvojat më të rëndësishme profesionale të karrierës së tyre.
Sipas tyre, profesionalizmi i strukturave policore shqiptare dhe bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve kanë qenë faktorë kyç në sukseset e përbashkëta të arritura ndër vite.










