Nga Ylli Manjani
Kështu siç duken gjërat sot, edhe pas shpërthimit të bujshëm të asaj që mund të quhet pa frikë revolucioni “flamingo”, Edi Rama politikisht duket i destinuar të mbetet kryeministër të paktën deri në shtatorin e vitit 2029.
Mund të tingëllojë e pakëndshme për kundërshtarët e tij. Mund të duket e padrejtë për ata që kanë investuar energji, zemërim dhe shpresë në rrëzimin e tij. Por politika nuk funksionon sipas dëshirave. Ajo funksionon sipas raportit të forcave.
Dhe sot nuk ekziston asnjë kërcënim real politik ndaj Edi Ramës.
Po, revolucioni i algoritmeve, i rrjeteve sociale, i videove virale, i indinjatës së organizuar dhe i turmave dixhitale mund ta ketë plagosur disi elektoralisht. Mund t’i ketë shkaktuar konsum. Mund t’i ketë dëmtuar imazhin. Por këto janë plagë me të cilat Edi Rama ka jetuar për vite me radhë.
Madje, po të shohim historinë e tij politike, ai ka mbijetuar me plagë shumë më të rënda se këto. Ka kaluar kriza politike, protesta masive, bojkote, skandale, akuza dhe fushata të tëra kundër tij. Prandaj është e vështirë të besohet se një stuhi algoritmesh, sado agresive qoftë, mund ta rrëzojë atë aty ku kanë dështuar përballje shumë më konkrete.
Problemi kryesor nuk qëndron tek forca e Ramës. Problemi qëndron tek dobësia e alternativës.
Kundërshtarët e tij, bashkësi ku pavarësisht papajtueshmërisë që kam me revolucionet, fus edhe veten, refuzojnë të kuptojnë një rregull elementar të politikës: pushteti nuk rrëzohet vetëm duke demonizuar atë që qeveris. Pushteti rrëzohet kur krijohet një alternativë më bindëse.
Dakord, ta heqim Ramën.
Po kush është përballë tij?
Kjo pyetje mbetet pa përgjigje.
Në vend të saj dëgjojmë nocione abstrakte se “populli do flasë”, se “revolucioni po vjen”, se “sistemi po bie”. Janë formula që tingëllojnë mirë në rrjete sociale, por që nuk kanë prodhuar kurrë qeveri. Populli nuk qeveris si koncept abstrakt. Revolucioni nuk administron buxhete, nuk negocion marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk merr vendime ekzekutive.
Në fund të ditës, politika reduktohet gjithmonë tek një pyetje shumë tokësore: kush është personi që kërkon të marrë timonin?
Dhe pikërisht aty opozita, revolucionarët dixhitalë dhe çdo kundërshtar i Ramës përplasen me murin e realitetit.










