Jose Mourinho po shkakton një ‘tërmet’ në Santiago Bernabeu. Trajneri portugez duket se ka nisur ‘operacionin fshesa’ teksa ka përpiluar një listë me futbollistët që nuk janë në planet e tij dhe që duhet të largohen, një listë që është e gjatë; nga Rodrygo Goes te Eduardo Camavinga duke përfshirë Brahim Diaz e Alvaro Carreras. Por kësaj liste i shtohen edhe dy pesha të rënda të Los Blancos: Vinicius Jr dhe Federico Valverde.

Special One është gati të bëjë pa brazilianin dhe urugajanin për të rikthyer qetësinë në një dhomë zhveshjeje që në sezonin e fundit ishte si një fuçi baruti. Vinicius dhe Valverde janë konsideruar si elementët toksikë të grupit; edhe feedbacku i marrë nga drejtuesit e klubit madrilen për ta është në këtë linjë, pas kaosit të sezonit të fundit nën drejtimin e Xabi Alonsos. Pikërisht për shkak të mungesës së afeksionit me grupin, trajneri spanjoll u detyrua të bëjë një hap prapa.

Mourinho nuk dëshiron të bëjë këtë gabim dhe për të ruajtur ekuilibrin e brendshëm është gati të sakrifikojë dy kampionë si Vinicius e Valverde. Është ky një mesazh i qartë për skuadrën; braziliani dhe uruguajani së bashku me Courtois ishin caktuar të mbanin shiritin e kapitenit, por Mourinho dëshiron të përmbysë hierarkitë duke promovuar Mbappe si kapiten të skuadeës dhe Rudiger e Bellingham si zëvendëskapitenë.

Courtois nuk është në listën e futbollistëve për t’u larguar, por trajneri luzitan preferon që t’ia japë shiritin një lojtari që lëviz, një zgjedhje kjo që bie në kundërshtim me atë që kishte bërë në etapën e tij të parë në Madrid kur në fakt gradoi Iker Casillas. Jose Mourinho ka meritën se e ka krijuar legjendën e tij edhe me zgjedhjet e qarta të bëra duke mos u ndikuar aspak nga asgjë.