Dëgjesa për reformën administrative-territoriale ka vijuar ditën e djeshme në Berat.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri me dije se ky ishte një diskutim i rëndësishëm për një organizim më funksional të pushtetit vendor, që respekton identitetin e çdo komuniteti dhe synon shërbime më cilësore, më shumë kompetenca për bashkitë dhe një pushtet lokal më të fortë, më pranë qytetarëve.
Komisioni e zhvilloi dëgjesën në tri shtylla kryesore.
Shtylla e parë që u diskutua, lidhej me funksionet, shërbimet dhe kompetencat e pushtetit vendor. Diskutimet u përqëndruan në rishikimin e shërbimeve që Bashkitë u ofrojnë qytetarëve, duke synuar një ndarje më të qartë të përgjegjësive mes pushtetit qendror dhe atij lokal.
Shtylla e dytë, territori dhe qeverisja, ku u analizua ndarja aktuale dhe nevoja për një organizim të ri të njësive vendore që garanton efikasitet administrativ.
Shtylla e tretë dhe e fundit, trajtoi sfidat e financimit, duke u fokusuar te rritja e autonomisë financiare dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm vendor.
Pas përfundimit të diskutimeve tematike, dëgjesa vazhdoi në fazën e raundit të plotësimeve, ku iu dha mundësia pjesëmarrësve të shprehnin mendimet e tyre, komente specifike dhe sugjerime teknike.
Procesi kaloi në etapën vendimtare të prioritizimit të çështjeve dhe më pas dëgjesa u përmbyll me një pasqyrë të hapave të radhës.










