Lajmi i pakonfirmuar ende se Sali Berishës i është hequr sanksioni non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka nxitur eufori në grupin parlamentar të PD.
Vetë Berisha nuk e ka pranuar drejtpërdrejtë nëse heqja e sanksionit pwr minim të demokracisë dhe korrupsion ka ndodhur vërtet, por është kufizuar vetëm te fakti se tani mund të udhëtojë lirisht në SHBA.
Ata që s’e kanë mbajtur dot gëzimin pas “lajmit” janë deputetët demokratë, të cilët kanë nxituar ta urojnë Berishën në whatsapp-in e grupit parlamentar të PD-së.
Ndër urimet spikat ai i deputetit Arjan Ndoji, i cili në urimin për Berishën nuk ka harruar të kujtojë edhe qëndrimet e pak viteve më parë të disa prej deputetëve, të cilët deklaronin se kreu i PD-së po e përdorte partinë për të mbrojtur veten.
“Urime Doktor. Për të gjithë ata që brenda forcës thanë që mbron veten nëpërmjet Partisë, i përshëndesim dhe i urojmë të mos nguten në jetë. Për të gjithë anëtarët e PD-së kjo është fitore dhe duhet kapitalizuar në proces pune të përditshme”, shkruan Ndoji.
Më entuziasti nga të gjithë ishte Tritan Shehu, i cili nuk e mbajti veten as në foltoren e Kuvendit: “E vërteta mund të vonojë, por vjen kur luftohet për atë. U luftua dhe u fitua”.










