Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me një analizë të gjatë në rrjetet sociale mbi situatën ekonomike në vend, duke e lidhur protestën qytetare të javëve të fundit me atë që e cilëson si një model ekonomik të dështuar, të ndërtuar mbi privilegjet, klientelizmin dhe kapjen e shtetit.

Sipas Tabakut, prej tre javësh mijëra qytetarë kanë dalë në protestë kundër një sistemi që, sipas saj, ka zhvlerësuar punën dhe të ardhurat e shqiptarëve, ndërsa ka favorizuar pasurimin e një pakice të lidhur me pushtetin.

Deputetja demokrate ndalet edhe te publikimi i “Albanian Files”, të cilin e cilëson si një provë që dokumenton arsyet pse çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë arritur nivele të krahasueshme, madje edhe më të larta, se në qytete të zhvilluara europiane, ndërkohë që të ardhurat e shqiptarëve mbeten shumë më të ulëta.

Në analizën e saj, Tabaku argumenton se problemi nuk lidhet vetëm me tregun e pasurive të paluajtshme, por me deformimin e të gjithë modelit ekonomik. Ajo akuzon qeverinë se ka përdorur statusin e investitorit strategjik për të krijuar privilegje fiskale dhe administrative, ndërsa sektorët prodhues, bujqësia dhe industria janë lënë pa mbështetje.

Sipas saj, përqendrimi i investimeve në ndërtim, rënia e konkurrueshmërisë së industrisë, falimentimi i bujqësisë dhe orientimi i investimeve të huaja drejt pasurive të paluajtshme janë pasojë e një modeli ekonomik që nuk krijon vlerë të shtuar, por favorizon interesa të ngushta.

Në reagimin e saj, Tabaku shprehet se ky sistem ka autorë të qartë politikë.

“Ideatori është kryeministri. Aparati janë ministrat. Ndërsa shumica socialiste në Kuvend ka pranuar rolin e noterit politik të këtij modeli,” shkruan ajo.

Deputetja e PD-së kërkon që, krahas ndryshimit politik, të zhvillohet edhe një hetim parlamentar i plotë për mënyrën se si është ndërtuar ky model ekonomik, me qëllim dokumentimin e përgjegjësive institucionale dhe referimin e çdo shkeljeje tek organet e drejtësisë.

Në përfundim të reagimit të saj, Tabaku thekson se Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi një ekonomi të mbështetur tek privilegji, klientelizmi dhe pandëshkueshmëria, duke shtuar se ndryshimi është tashmë një domosdoshmëri jo vetëm politike, por edhe ekonomike, demokratike dhe kombëtare.