Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, priti në një takim prezantues Ambasadorin e Mbretërisë së Suedia në Shqipëri, Sh.T.Z. Niklas Ström.
Gjatë takimit, Drejtori Hita theksoi vizionin e tij për një Polici të Shtetit gjithnjë e më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, me qëllim përballimin e sfidave të sigurisë bashkëkohore.
Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese suedeze, duke veçuar Programin për Forcimin e Policimit në Komunitet (SCPA), i cili do të vijojë deri në vitin 2029, projektet suedeze në mbështetje të Policisë së Shtetit, si dhe asistencën për Policinë Shkencore, Policinë Rrugore dhe Akademinë e Sigurisë.
Drejtori nënvizoi se partneriteti i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë ka sjellë rezultate konkrete në fusha me ndikim të lartë publik, si lufta kundër terrorizmit, policimi në komunitet, drejtësia për të miturit, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, hetimi kriminal dhe shkëmbimi i informacionit.
Nga ana e tij, Ambasadori Ström vlerësoi arritjet e deritanishme dhe rikonfirmoi angazhimin e Suedia për të mbështetur më tej Policinë e Shtetit në procesin e modernizimit dhe përafrimit me standardet evropiane.
Në takim u diskutuan gjithashtu perspektivat e projekteve aktuale, të cilat synojnë forcimin e kapaciteteve në fusha të ndryshme funksionale të policisë, përfshirë përdorimin e teknologjive bashkëkohore në Policinë Rrugore, rritjen e kapaciteteve për hetimin e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore, institucionalizimin e policimit të udhëhequr nga inteligjenca, si dhe forcimin e hetimit në vendngjarje.
Bashkëpunimi mes palëve pritet të vijojë me projekte konkrete që synojnë rritjen e efikasitetit dhe profesionalizimit të strukturave të Policisë së Shtetit.










