Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu raportohet të kenë pasur një bisedë telefonike shumë të tensionuar, pas zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite në Liban.

Sipas gazetarit izraelit Barak Ravid, që punon për median amerikane Axios, njoftimi i Iranit se do të ndalonte negociatat me SHBA-në për shkak të veprimeve të shtetit hebre në Liban ngjalli zemërimin e Trumpit, i cili e kritikoi ashpër kryeministrin izraelit duke thënë se po e çonte vendin e tij drejt izolimit dhe po dëmtonte negociatat me Republikën Islamike.

“Ti je krejtësisht jashtë kontrollit. Po të mos ishte për mua, do të ishe në burg. Po të shpëtoj lëkurën. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj historie,”pretendohet të ketë thënë Trump.

Një burim tjetër i cituar nga gazetari konfirmoi se Trump ishte “i tërbuar” dhe se në një moment i bërtiti Netanyahut: “cfarë dreqin je duke bërë”? Shkaku i zemërimit të Trump, nga sa shpjegon media në fjalë, ishte fakti se ofensiva izraelite në Liban rrezikonte të sabotonte negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.

Sipas burimeve, presidenti amerikan e konsideroi reagimin izraelit joproporcional, veçanërisht për shkak të numrit të lartë të viktimave civile dhe shkatërrimit të ndërtesave për të eliminuar objektiva të caktuar të Hezbollahut.

Megjithatë, publikisht Trump e përshkroi telefonatën si “shumë produktive”, duke deklaruar se nuk do të ketë operacione tokësore izraelite në Bejrut dhe se Hezbollahu ka pranuar të ndalojë përplasjet e armatosura.

Ai shtoi gjithashtu se negociatat me Iranin po vazhdojnë me ritëm të shpejtë.

Edhe Netanyahu, zyrtarisht, nuk ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon të kërcënojë me sulme ndaj Hezbollahut, megjithatë sipas Axios, përgjatë gjithë bisedës me Trump, ai është gjendur nën një presion të madh.