Rrëfimi prekës i mikpritjes së qytetit të Kukësit për vëllezërit e Kosovës.

Në Lubjanë të Sllovenisë u zhvillua promovimi i filmit dokumentar “Shtëpia e Kombit”, një produksion i realizuar nga producentja Helena Halilaj dhe regjisori Burim Haliti, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Slloveni, Universitetin e Lubjanës dhe Akademinë e Filmit.

Eventi solli bashkë një numër të madh shqiptarësh nga Kosova dhe Shqipëria që jetojnë në Slloveni, krahas profesorëve, kolegëve të botës së filmit dhe përfaqësuesve të trupës diplomatike, të cilët mbushën sallën për t’u bërë dëshmitarë të një historie që prek thellë identitetin kombëtar.

Filmi “Shtëpia e Kombit” rrëfen me dashuri dhe dinjitet gjithçka që qyteti i Kukësit bëri për shqiptarët e Kosovës në vitin 1999, kur dhjetëra mijëra njerëz u detyruan të lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar dhunës së luftës. Përmes kamerës dhe rrëfimit, dokumentari sjell në sipërfaqe dhimbjen e atyre ditëve, por edhe forcën e një populli që, përballë tragjedisë, hapi krahët dhe shtëpitë e veta për vëllezërit në nevojë.

Gjatë këtij eventi u zhvillua një diskutim i gjerë rreth procesit krijues të filmit, sfidave të realizimit dhe mesazhit human që ai përcjell brez pas brezi. U bë e ditur gjithashtu se promovimi në Lubjanë është vetëm një hap në vazhdimësinë e turit ndërkombëtar që do ta shoqërojë filmin në qytete dhe vende të tjera.

“Shtëpia e Kombit” nuk është thjesht një dokumentar mbi luftën, është një homazh për solidaritetin, kujtesën kolektive dhe lidhjen e pashkëputshme mes Kosovës dhe Shqipërisë, e simbolizuar fuqishëm nga mikpritja e qytetit të Kukësit në një nga momentet më të vështira të historisë sonë të kohëve të fundit.