Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, i kushtoi një pjesë të fjalës së tij në seancën plenare të së hënës debatit mbi projektin turistik në Zvërnec dhe ngjarjet e fundit të regjistruara gjatë protestave në zonë.

Nga foltorja e Kuvendit, Vengu deklaroi se Shqipëria ka nevojë për investime të mëdha dhe turizëm cilësor, por theksoi se zhvillimi duhet të shoqërohet me më shumë transparencë, komunikim me qytetarët dhe përfshirje të komuniteteve lokale.

“Vlora ka nevojë për projekte të mëdha, për ekonomi më të fortë dhe vende pune më të mira. Por po aq fort besoj se zhvillimi kërkon përgjegjësi për të shpjeguar më shumë dhe për të mos lënë askënd me përshtypjen se po përjashtohet”, u shpreh ai.

Duke iu referuar përplasjes së ndodhur gjatë protestave në Zvërnec, deputeti socialist tha se pamjet e publikuara nuk ishin të denja për një shoqëri demokratike. Ai vlerësoi reagimin e institucioneve për hetimet, arrestimet dhe masat e marra ndaj kompanive të sigurisë private të përfshira në incident.

“Kurrë nuk mund të pajtohemi me idenë që një qytetar të tërhiqet zvarrë nga roje private në mes të një proteste”, deklaroi Vengu.

Në fjalën e tij, ai argumentoi se Shqipëria ka bërë progres në mbrojtjen e mjedisit gjatë viteve të fundit, duke përmendur zgjerimin e sipërfaqeve të mbrojtura dhe krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Sipas Vengut, debati mbi projektin në Zvërnec duhet të trajtojë jo vetëm aspektet mjedisore, por edhe nevojën për zhvillim ekonomik, rehabilitim të lagunës së Nartës dhe përmirësim të infrastrukturës për banorët e zonës.

“Debati për trashëgiminë tonë natyrore është legjitim, por po aq legjitim është edhe debati për votëbesimin që investimet e huaja po i japin Shqipërisë”, tha ai.

Deputeti i PS-së theksoi se projektet e mëdha nuk duhen gjykuar vetëm nga vlera financiare, por edhe nga aftësia për ta bërë komunitetin pjesë të procesit të zhvillimit.

Në përfundim, Vengu u shpreh se shteti duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe respektimin e dinjitetit të qytetarëve.

“Vlora nuk ka nevojë të zgjedhë mes zhvillimit dhe dinjitetit. Vlora meriton t’i ketë të dyja”, përfundoi ai.