Deputeti socialist Pirro Vengu ka replikuar ashpër në Kuvend me kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke e akuzuar atë për “patriotizëm online” dhe për transferim të parave jashtë vendit.
Gjatë fjalës së tij, Vengu tha se Shehaj nuk mund të frymëzojë rininë shqiptare që prej 11 ditësh është në protestë, ndërsa sipas tij përfaqëson pikërisht modelin e “feudalizmit teknologjik, financiar dhe moral” kundër të cilit protestohet.
“Ti, që nuk arrin të shpjegosh sepse bën patriotizëm online pasditeve dhe ditën e kalon për të çuar paratë e tua jashtë vendit. Si mund ta inspirosh ti rininë shqiptare?”, u shpreh Vengu.
Deputeti socialist e akuzoi më tej Shehajn se po përpiqet të përdorë protestën për interesin e tij politik. Sipas Vengut, kryetari i Partisë Mundësia “po vrapon” pas numrave të protestës me shpresën që të jetë “në anën e duhur të historisë”.
“Ti je një instrument i përçarjes së popullit shqiptar. Ti po vrapon sepse ke shpresën që në numrat e protestës të jesh nesër në anën e duhur të historisë. Kjo është buracakëri, kjo është dritëshkurtësi”, tha Vengu.










