Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me ironi ka uruar Sali Berishën për rikonfirmimin në krye të PD-së. Nga salla e Kuvendit, Balla foli edhe për investimin që pritet të bëhet në Zvërnec, investim i cili ka nxjerrë në protesta qytetarët.

Balla tha se investimi është historik dhe më i madhi që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, teksa njoftoi gjithashtu se pas pak ditësh nga Aeroporti i Rinasit do të nisin fluturimet direkte nga Tirana në Toronto.

Lidhur me reagimet e shumta në Greqi për protestën në Zvërnec, Balla me ironi tha se ‘komshiu e ka zili komshiun’, në rastet e investimeve të tilla.

“Nuk mund të mos e vlerësoj faktin dhe qëndrimin pro investimit. Një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë, për të cilin do të flas pak më poshtë. U tha këtu se investimet e huaja kanë rënë. Tani, investimet e huaja direkte, në vitin 2012, që ishte viti i fundit i juaji në pushtet zoti Sali, ishin 666 milionë euro. Në vitin 2025, shifra e investimeve të huaja direkte shkon 1.64 miliardë euro. Tani me matematikën e Lulit, mund të jetë 1.64 miliardë më e madhe se 666 milionë. Por me matematikën normale, 666-ta te 1.64 hyn të paktën 2.5 herë.

Pra investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me të paktën 2.5 herë. Por zotëria, që urime edhe për zgjedhjen në krye të PD-së dhe nuk dihej se kush fitonte. Por pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në minutën e fundit, fitoi zoti Sali. Ndërkohë i bashkohem edhe urimit të Piter Bayer, me të gjitha kuptimet që kishte brenda urimi i tij. Ndërkohë sa i përket PBB, GTP-ja ishte diku poshtë 10 miliardë euro, ndërkohë në 2025 e kemi kaluar 27 miliardë euro. Pra e kemi 3-fishuar ekonominë e vendit në një kohë kaq të shkuartër.

Asnjë vend nuk e ka bërë këtë në kaq pak kohë. Meqë u tha diçka edhe për aeroportin e Vlorës, aeroporti i Vlorës është ndërtuar, po përfundon, aty ku ka qenë gjurma e aeroportit të Vlorës prej 100 vitesh. Numri i turistëve, këtu pastaj na ndjeni, se të qeshurën nuk e mbajmë dot. Pas pak ditësh, për herë të parë në Rinas do të inaugurohet fluturimi i parë ndërkontinental, nga Tirana në Toronto. Investimi në Zvërnec do të bëhet, mos harroni që komshiu e ka zili komshiun, ndoshta jo i pari, por element të tjerë, do donin investimin për vete”, tha mes të tjerash Balla.