Fredi Beleri ka folur për televizionin grek Ellada24 lidhur me debatin mbi projektin turistik në Zvërnec, duke ngritur shqetësime për çështjen e pronave, të drejtat e banorëve dhe mënyrën se si, sipas tij, po veprohet nga qeveria shqiptare.

Në intervistë, Beleri tha se e ka ngritur këtë çështje edhe në komision, duke pyetur se si mund të pajtohen zhvillime të tilla me rrugën europiane të Shqipërisë.

“Unë kam bërë një pyetje në komision se si të gjitha këto kombinohen me një vend që është në prag të Bashkimit Evropian dhe se si zbatohet saktësisht acquis communautaire në këto raste”, u shpreh Beleri.

Ai e lidhi projektin në Zvërnec me problemin e pronave, duke folur për “moskthimin e pronave banorëve grekë të zonës”. Beleri pretendoi se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një procedurë normale shpronësimi apo për dëmshpërblim të drejtë, por për një model vendimmarrjeje të lidhur me ligjin për investimet strategjike.

Sipas tij, banorët nuk kanë qenë të informuar për projektin dhe janë përballur papritur me rrethimin e tokave.

“Sot zoti Rama doli dhe i tha popullit shqiptar se është një investim që ai e planifikon prej vitesh. Njerëzit ishin në errësirë. Papritur panë fushat e tyre të rrethohen me tela me gjemba që të kujtojnë situata lufte”, u shpreh ai.

Ai shtoi se e konsideron të vështirë të besohet se një investitor i tillë do të zgjidhte Shqipërinë për një investim kaq të madh.

“E konsideroj të pamundur në Shqipëri, e cila nuk ka investuar asnjë euro në turizmin e huaj, të kapitalit të huaj të vijë papritur dhëndri i Trump, i cili mund të investojë në të gjithë botën, të vijë dhe të investojë katër miliardë në Shqipërinë e Ramës në këto kushte”, deklaroi Beleri.