Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “FAST”, në kuadër të të cilit është arrestuar në Tiranë një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Sipas policisë, në pranga ka rënë Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve mes FAST Albania dhe FAST Itali, si edhe informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Nikolli u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 13 vite burg nga Gjykata e Apelit e Napolit. Vendimi, i dhënë në nëntor të vitit 2021, e shpall atë fajtor për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe skllavërimit/nënshtrimit, sipas legjislacionit penal italian.
Sipas autoriteteve italiane, 48-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion gra të futura në mënyrë të paligjshme në Itali. Ai dyshohet gjithashtu se ushtronte dhunë ndaj tyre për t’i mbajtur nën kontroll dhe për të maksimizuar fitimet nga aktiviteti kriminal.
Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e Bekim Nikollit drejt Italisë.










