Me një formim të gjerë akademik, Doktor Shkencash dhe me katër diploma universitare, Artan Pogoni ia kushtoi jetën zhvillimit të shkencave të sportit, veçanërisht në fushat e rekreacionit sportiv, metodologjisë së stërvitjes dhe edukimit fizik.

Ai ishte autor i 12 publikimeve shkencore dhe dy teksteve universitare, ndërsa kishte kontribuar edhe në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+, duke promovuar shkëmbimin e eksperiencave dhe modernizimin e sportit shqiptar.

Përtej karrierës akademike, Pogoni ishte i angazhuar drejtpërdrejt në sportin elitar. Ai ka qenë drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitet e fundit ishte një nga figurat drejtuese të Barleti Volej, ku ka kontribuar edhe si trajner i ekipit të femrave.

Emri i tij ishte i pranishëm edhe në debatet publike për problematikat e sportit shqiptar, ku shpesh ka ngritur shqetësime për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të federatave sportive.

Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një pedagog, studiues dhe kontribues të rëndësishëm të sportit. Kolegë, studentë dhe sportistë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti që për shumë vite punoi për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.

Artan Pogoni do të kujtohet si një nga zërat e rëndësishëm të lidhjes mes shkencës dhe sportit në Shqipëri.