Franca do të zhvillojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale më 18 prill dhe 2 maj 2027, sipas një burimi qeveritar që konfirmoi për AFP vendimin, i cili pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e kabinetit të së mërkurës.

Sipas të njëjtit burim, qeveria zgjodhi këtë kalendar në vend të alternativës që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhe 25 prill 2027.

Sipas Kushtetutës franceze, zgjedhjet presidenciale duhet të zhvillohen nga 20 deri në 35 ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë.

Presidenti Emmanuel Macron nisi mandatin e tij të dytë më 14 maj 2022 dhe, sipas kufizimeve kushtetuese, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi.

Raundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet gjatë pushimeve pranverore të shkollave, ndërsa raundi i dytë është planifikuar për më 2 maj 2027, një ditë pas festës së 1 Majit.