Taulant Balla iu përgjigj deklaratave të Erald Kaprit se PS ka votuar në Strasburg amendamentet e propozuara nga Fredi Beleri. Balla e quajti deputetin “gënjeshtar profesionist” pasi të gjitha amendamentet e propozuar prej tij janë votuar kundër nga përfaqësuesit socialistë.
Më tej, i tha Kaprit se ka marrë “modelin më të keq” të politikës, Agron Shehajn, të cilit tashmë po i zbardhet e gjithë skema e parave, duke iu referuar pronës 251 m2 që u shit për 15 milionë euro.
“Deputeti parafolës, një gënjeshtar profesionist, sapo keqinformoi me dashje opinionin publik lidhur me procesin e votimit për rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit. 7 anëtarët e këtij komiteti, përfaqësues të PS kanë votuar për të gjitha amendamentet e propozuara nga Beleri kundër. Të gjitha kundër! Gënjeshtar! Grupi parlamentar i PD ka votuar për një pjesë të amendamenteve pro. Sa i përket votimit në fund të dokumentit integral, unë isha dakordësuar me bashkëkryetarin. Unë s’mund ta ndaloja dot një anëtar të PE të votonte pro. Ti ke marrë për model modelin më të keq. Nuk ka model më të keq në politikë sesa të vish këtu dhe të bësh suflerin e Gones. Ti, bashkë me atë personin tjetër që nuk është këtu sepse e nise karrierën politike me pagesë nga paratë e Gones, tani paguhesh me paratë e shqiptarëve si asistent i Gones, ky është ndryshimi. Edhe ti, ndërsa po zbardhet gjithë skema e parave të Agron Shehajt, rast unik në botë që brenda 4 vitesh pesëfishon vlerën e një prone. Do të vijë Gonia këtu, ia kam bërë gati dosjen. Nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në shtator 2025”, tha Balla.










