Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, deklaroi se godina e re e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat do të përmirësojë kushtet e punës për efektivët dhe do të ofrojë një shërbim më cilësor për qytetarët.

Në prononcimin për mediat pas inaugurimit të ambienteve të reja, Hita theksoi se investimi synon të rrisë standardet e shërbimit policor dhe të forcojë sigurinë në qark.

“Ambientet moderne, të kombinuara me profesionalizmin, etikën dhe sjelljen korrekte të punonjësve të Policisë, do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në forcimin e sigurisë, si për banorët e Beratit, ashtu edhe për turistët që vizitojnë qytetin”, u shpreh ai.

I pyetur mbi vlerësimet që e rendisin Drejtorinë Vendore të Policisë Berat ndër më të mirat në vend për rendin dhe qetësinë, Hita tha se kjo drejtori është ndër strukturat me nivelin më të ulët të kriminalitetit, për shkak të numrit të vogël të krimeve të rënda.

Megjithatë, ai theksoi se ky rezultat nuk do të sjellë ulje të angazhimit të Policisë ndaj fenomeneve kriminale.

Sipas tij, në fokus të punës së Policisë së Beratit do të mbeten lufta kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike.

Hita nënvizoi se këto problematika do të trajtohen me prioritet edhe nga strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, me synim goditjen e veprimtarive kriminale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët.