Javanews
Home Ekonomi
Kostoja e pasigurisë ekonomike, veprat penale dhe proceset gjyqësore ngarkojnë me kosto ekonominë
Java News 25/07/2026 13:02

Pasiguria ekonomike ka kosto. Nga një studim i posaçëm ka rezultuar se kostoja e mundshme mund të variojë nga 83 milionë euro në vitin e parë deri në 1.8 miliardë euro në pesë vite në skenarin negativ, ndërsa vlera e pritshme llogaritet rreth 923 milionë euro.

“Krimet kundër personit dhe çështjet tregtare, krimet kundër pronës, pasiguria juridike ndaj pronës, si dhe pasiguria në marrëdhëniet e biznesit ndërmjet dy palëve, nëse do të arrijnë ta zgjidhin në kohë konfliktin e tyre në gjykatë dhe nëse proceset gjyqësore nuk do të zgjaten me dekada për zgjidhjen e çështjeve. Grumbullimi i kësaj fryme pasigurie, si pasojë e këtyre krimeve dhe problematikave sociale, ndikon në krijimin e një klime të pafavorshme për zhvillimin e marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Ergys Sefa.

Rreziku lidhet me rritjen 17.4% të veprave penale në vitin 2025, veçanërisht me krimet me ndikim të lartë social ndaj grave, fëmijëve dhe familjes. Sipas analizës metodike, kjo aktivizon efektin traumatik, duke dobësuar besimin dhe sjelljen ekonomike.

“Këto lloj krimesh lidhen me rritjen e aksidenteve, me rritjen e konflikteve mes personave për motive të dobëta, pra për arsye banale, me rritjen e problemeve që lidhen me pronën, të konflikteve që lindin si pasojë e çështjeve pronësore, si edhe me rritjen e problemeve që burojnë nga marrëdhëniet e biznesit dhe të shitblerjes”, tha ai.

Kostoja nuk shpërndahet njëtrajtësisht. Mbi 60% e ndikimit përqendrohet në zonën Tiranë–Durrës, ndërsa zonat bregdetare ekspozohen përmes turizmit; në kuadër të Kapitujve 23/24, çdo vit vonesë në reforma lidhet me një kosto oportuniteti prej 138 deri në 222 milionë euro.