Irma Marku, kryetare e Degës nr.2 të Partisë Demokratike në Tiranë, ka reaguar për zgjedhjet në forcën politike ku aderon dhe thotë se pavarësisht se e njeh Belind Këlliçin dhe ka qenë bashkudhëtare me të në shumë sfida të partisë më të madhe opozitare, nuk e uron dot për postin e ri.
Në zgjedhjet e djeshme, ai garoi përballë Luçiano Boçit dhe mori votat e demokratëve për të qenë nënkryetari i ri i tyre.
“E njoha nga afër Belind Këlliçin, në ditët më vibrante të historisë së PD-së. Në kohën kur, në sytë e shumëkujt, Partia Demokratike po jetonte agoninë e saj të fundit, për ne që ishim pjesë e antitrupave imunitarë të saj, ajo ethe e lartë ishte shenjë jete.
Belindi ishte një i ri i formuar, energjik dhe bashkëpunues. Fitues dhe motivues në shumë sfida të mëhershme, ai mbajti mbi supe peshën e Kuvendit më të rëndësishëm të demokratëve, 11 Dhjetorin e 2021-it.
Shumë shpejt u pa si një pasues i denjë, i pranueshëm nga të gjithë dhe, në rrethana normale, i destinuar të merrte votën e demokratëve.
Vinim nga trauma e rëndë e pranimit të një figure si Lulzim Basha, shpesh kundër instinktit politik të demokratëve. Belindit i duhej vetëm kohë, të forconte fibrën ideologjike, të piqej politikisht dhe të rritej bashkë me përgjegjësinë që e priste”, shkruan Irma Marku.
Kryetarja e Degës nr.2 në Tiranë, thekson se dje, Belind Këlliçi ka bërë zgjedhjen e gabuar duke garuar përballë një intelektuali si Luçiano Boçi, i cili sipas Irma Markut, është një nga figurat më përfaqësuese të asaj partie. Dhe sipas saj, një garë e tillë nuk mund ta zvogëlonte Luçianon dhe nuk mund ta zmadhonte Belindin.










