Me 83 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar sot projektligjin e ri për Policinë e Shtetit. Në një postim në Facebook menjëherë pas votimit, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se amendimet e reja e forcojnë institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.

Sipas Lamallari, parashikohet një organizim më i thjeshtë dhe funksional i Policisë së Shtetit, me zinxhir komandimi më të qartë dhe vendimmarrje më të shpejtë. Ndryshimet rikthejnë gjithashtu lidhjen mes gradës dhe funksionit drejtues, duke e bazuar karrierën në meritë dhe eksperiencë.

Ministri theksoi se ligji i ri synon t’i japë fund vakancave të zgjatura në drejtim, përmes shmangies së proceseve burokratike, si dhe parashikon rregulla më të drejta për administrimin e burimeve njerëzore, transferimet dhe sistemin disiplinor.

Një tjetër element i reformës, sipas tij, është ruajtja e kujtesës institucionale, duke e konsideruar përvojën e punonjësve të Policisë si kapital shtetëror.

“Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve”, u shpreh ministri

Postimi i plotë i ministrit Lamallari

Ndryshime të rëndësishme në ligjin për Policinë e Shtetit

Sot u votuan në Kuvend amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.

Çfarë ndryshon:

✅ Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë

✅ Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës

✅ Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum

✅ Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional

✅ Ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj

Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve.