Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po vazhdon të tronditë tregun global të naftës, duke prekur njëkohësisht ofertën dhe kërkesën. Ndërsa furnizimet nga Lindja e Mesme mbeten të pasigurta, ekonomitë më të mëdha të botës po konsumojnë më pak naftë dhe po mbështeten gjithnjë e më shumë te rezervat e tyre strategjike.
Në anën e ofertës, tensionet në rajon kanë kufizuar eksportet nga Gjiri Persik, ndërsa edhe pas rihapjes së pjesshme të Ngushticës së Hormuzit, qindra miliona fuçi naftë të bllokuara nuk gjetën lehtësisht blerës. Prodhues si Qatar Energy dhe kompania shtetërore e Emirateve të Bashkuara Arabe u detyruan të ulnin çmimet me 6 deri në 9 dollarë për fuçi për të nxitur shitjet në tregjet aziatike.
Edhe Irani po përballet me vështirësi në eksportet e naftës. Megjithëse SHBA lehtësoi përkohësisht disa sanksione, Kina mbetet praktikisht blerësi i vetëm, por edhe Pekini ka ulur ndjeshëm importet nga rreth 1.5 milionë fuçi në ditë në vetëm 630 mijë fuçi.
Analistët theksojnë se dobësimi i kërkesës lidhet kryesisht me Kinën. Gjatë konfliktit, vendi ka reduktuar importet, duke u mbështetur në rezervat strategjike të krijuara më herët. Sipas Goldman Sachs, Kina po konsumon rreth 2 milionë fuçi në ditë nga rezervat e saj, por ende zotëron afro 1.9 miliardë fuçi, të mjaftueshme për rreth 117 ditë konsum.
Në të njëjtën kohë, rritja e shitjeve të automjeteve elektrike dhe kufizimet në prodhimin e karburanteve kanë ndikuar në uljen e konsumit të naftës në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Edhe Shtetet e Bashkuara po mbështeten te Rezerva Strategjike e Naftës, e cila ndodhet në nivelin më të ulët që nga viti 1983. Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka përdorur një sasi rekord rezervash për të përballuar krizën e furnizimit, duke krijuar nevojën për rimbushjen e tyre në të ardhmen.










