Ekziston një klub i veçantë, madje disi i dhimbshëm, në historinë e futbollit: ai i legjendave që nuk kanë arritur kurrë të fitojnë zyrtarisht Topin e Artë. Në këtë listë të “të mëdhenjve të zhgënjyer” bëjnë pjesë emra si Paolo Maldini, Gianluigi Buffon, Andrés Iniesta, Zlatan Ibrahimović dhe Franco Baresi.
Megjithatë, ish-kapiteni legjendar i Milanit ka një histori të veçantë me trofeun më prestigjioz individual në futboll. Edhe pse nuk e fitoi kurrë zyrtarisht, Baresi kishte në shtëpi një version origjinal të Topit të Artë, falë një gjesti të jashtëzakonshëm nga Silvio Berlusconi.
Vetë Baresi, i ndarë nga jeta sot në moshën 66-vjeçare, e kishte zbuluar këtë prapaskenë në një intervistë për gazetën italiane Il Giornale, duke kujtuar sezonin magjik të Milanit në vitin 1989, kur skuadra kuqezi dominonte futbollin europian dhe botëror.
“Në edicionin e Topit të Artë të vitit 1989 unë u rendita në vendin e dytë, pas Marco Van Basten dhe para Frank Rijkaard. Podiumi ishte tërësisht i Milanit. Në atë rast, presidenti Berlusconi më dhuroi një version origjinal të Topit të Artë”, kishte treguar Baresi.
Në atë edicion, tre vendet e para u pushtuan nga lojtarët e Milanit të Arrigo Saçhit, një skuadër që kishte në përbërje disa nga futbollistët më të mëdhenj të epokës.
Baresi mbetet një nga mbrojtësit më të mëdhenj të historisë së futbollit. Kapiteni i Milanit për më shumë se dy dekada u shndërrua në simbol të klubit kuqezi dhe, edhe pa fituar trofeun zyrtar individual, emri i tij mbeti i gdhendur mes legjendave të këtij sporti.










