Kanë mbetur edhe 100 ditë deri në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA-ve, të planifikuara për 3 nëntor, dhe demokratët besojnë se pakënaqësia në rritje ndaj presidentit Donald Trump mund t’u japë atyre shumicën në të paktën një nga dy dhomat e Kongresit.
Objektivi kryesor i demokratëve është rimarrja e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve, çka do t’u mundësonte të bllokonin axhendën legjislative të administratës Trump, të nisnin hetime ndaj presidentit, kabinetit të tij dhe bashkëpunëtorëve të afërt, si edhe të ndryshonin klimën politike duke e paraqitur Trump si një lider në rënie.
Strategjia e demokratëve fokusohet te çështjet ekonomike që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si rritja e kostos së jetesës, inflacioni, çmimet e ushqimeve, karburantit dhe banesave, si edhe aksesueshmëria e kujdesit shëndetësor. Sipas tyre, këto janë temat që shqetësojnë më shumë familjet amerikane.
Edhe pse në sfond mbeten debatet mbi të ardhmen e demokracisë amerikane dhe deklaratat e Trump për një mandat të tretë presidencial, lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ka zgjedhur ta përqendrojë fushatën te ekonomia. Gjatë një tubimi në Pensilvani ai prezantoi platformën “Fighting for an Affordable America” (“Luftë për një Amerikë të përballueshme”), duke premtuar uljen e çmimeve dhe mbështetje më të madhe për qytetarët.
Jeffries shpreson se kjo qasje do të bashkojë krahun moderat dhe atë progresist të Partisë Demokratike, pavarësisht debateve të brendshme. Ndërkohë, Trump vazhdon të paralajmërojë për atë që e quan “rreziku i së majtës radikale”, ndërsa sondazhet tregojnë se popullariteti i tij ka rënë në rreth 30%.
Në zgjedhjet e nëntorit do të rinovohen të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve. Aktualisht republikanët kontrollojnë Dhomën me 218 mandate, kundrejt 212 të demokratëve, një deputeti të pavarur dhe katër vendeve vakante.
Një sondazh i fundit i Fox News i jep demokratëve një epërsi prej shtatë pikësh në nivel kombëtar, megjithëse rezultati përfundimtar do të varet nga garat në çdo distrikt. Sipas Axios, Trump ka përfituar nga ridizenjimi i disa zonave elektorale, duke siguruar mes gjashtë dhe tetë mandate shtesë për republikanët.
Jeffries kujtoi se demokratëve u nevojiten vetëm gjashtë mandate për të rimarrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai krahasoi situatën me zgjedhjet e vitit 2018, kur gjatë mandatit të parë të Trump demokratët fituan 40 vende, edhe pse u nevojiteshin vetëm 25 për të marrë kontrollin.
Sipas tij, situata aktuale mund të jetë edhe më e favorshme për opozitën, pasi SHBA përballet me pasojat ekonomike të konfliktit me Iranin, krizën energjetike, rritjen e çmimit të karburanteve dhe inflacionin.
Në Senat, republikanët mbajnë shumicën me 53 vende kundrejt 45 të demokratëve dhe dy senatorëve të pavarur. Megjithatë, gara pritet të jetë më e vështirë për demokratët, pasi republikanët kanë më pak vende për të mbrojtur.
Shteti i Maine konsiderohej mundësia më e mirë për demokratët, por fushata u trondit pasi kandidati Graham Platner u tërhoq pas akuzave për abuzim seksual dhe u zëvendësua nga Troy Jackson. Gara të rëndësishme priten edhe në Ohio, Alaska, Iowa dhe Teksas.
Me vetëm 100 ditë deri në votime, zgjedhjet e mesmandatit pritet të përcaktojnë jo vetëm balancën e pushtetit në Kongres, por edhe forcën politike të Donald Trump përballë zgjedhjeve presidenciale të ardhshme. Tema










