Një 52-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Porosia”, pasi dyshohet se transportonte lëndë plasëse dhe municione luftarake me qëllim shitjen e tyre.

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë ndërhyrjes, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve. Siç shihet nga pamjet, forcat e policisë i vihen pas për ta kapur, teksa 52-vjeçari hedh çantën me materialet e rrezikshme në tokë. “Ndal, policia!”, dëgjohen efektivët duke e paralajmëruar dhe më pas i vendosin prangat.

Nga kontrolli i qeses që mbante me vete, policia sekuestroi dy granata dore luftarake, dy ndezës unifikues granatash, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me dy fitila dhe dy kapsolla detonatore të gatshme për shpërthim, si dhe gjashtë kapsolla detonatore.

NJOFTIMI I POLICISË

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”.

Goditet një rast i tentativës së shitjes së lëndëve plasëse.

Po transportonte granata luftarake, kapsolla detonatore dhe lëndë plasëse (tritol), me qëllim shitjen e tyre, kapet dhe vihet në pranga 52-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal.

Sekuestrohen granata dore luftarake, ndezës unifikues granatash, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe kapsolla detonatore.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porosia”.

Gjatë operacionit, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.