Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për mediat pas daljes nga SPAK, ku është paraqitur në kuadër të masës “detyrim paraqitje”, duke komentuar zhvillimet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lidhur me dosjen “Partizani”.
Gjatë prononcimit të tij, Berisha u ndal te dëshmitë e ish-funksionarëve të kabinetit “Berisha 1”, ku sot në seancë ka dëshmuar Gazmend Oketa, ndërsa në një seancë të mëparshme ka dëshmuar edhe Ylli Pango.
Duke iu referuar deklarimeve të Pangos, i cili ka folur për nxitjen e procesit të privatizimeve gjatë qeverisjes së atëhershme, Berisha i konsideroi ato si “të vërteta absolute” dhe në përputhje me programin elektoral të Partisë Demokratike.
“Kam pasur një program elektoral në të cilin u kam premtuar shqiptarëve privatizim, privatizim, privatizim. Dhe ajo ka qenë mbajtje e fjalës,” u shpreh Berisha, duke shtuar se sipas tij qeveria e asaj kohe ka realizuar një numër të lartë privatizimesh.
Ai deklaroi gjithashtu se, sipas tij, “privatizimi është parim themelor” i spektrit politik që ai përfaqëson, ndërsa përshëndeti dëshminë e Pangos si mbështetje e programit qeverisës të asaj periudhe.
Në vijim, Berisha komentoi edhe çështje të tjera që lidhen me hetimet, duke akuzuar Prokurorinë dhe qeverinë aktuale për mënyrën e trajtimit të rasteve të korrupsionit, si dhe duke sjellë në vëmendje çështje të tjera të hetuara nga SPAK.
Sa i përket dëshmisë së sotme të Gazmend Oketa, Berisha tha se e mirëpret dhe e ftoi të japë të gjitha sqarimet që ka mbi çështjen në fjalë.
Hetimet për dosjen “Partizani” po vijojnë në SPAK, ku janë thirrur për të dëshmuar disa ish-zyrtarë të kabinetit të mëparshëm qeveritar.










