Nga Hermes Kafexhiu

Fjalimi i Ramës përpara drejtuesve të Partisë Socialiste u ndërtua rreth një pranimi që deri dje dukej pothuajse i pamundur: partia po humbet aftësinë për të dëgjuar njerëzit. Por pjesa më e fortë erdhi në tre minutat e fundit, kur ai e çoi paralajmërimin përtej pakënaqësive të momentit dhe foli hapur për kërcënimin e ekzistencës së vetë PS-së. Nëse nuk arrijmë të ndërtojmë urën e dëgjimit me njerëzit, tha ai, “kjo është pak, por e sigurt që do të ndodhë”.

Nga lartësia e katër mandateve të fituara, Rama foli përpara nivelit më të lartë drejtues të PS-së për varrezat e partive dhe lëvizjeve të mëdha politike. Për mënyrën sesi ato humbën lidhjen me shoqërinë, u mbyllën brenda vetes dhe përfunduan duke bashkëpunuar me klientelizmin që më pas i gëlltiti.

Është për të ardhur keq që Ramës iu desh “Revolucioni Flamingo” për ta artikuluar kaq qartë këtë rrezik. Sepse problemi i mosdëgjimit nuk lindi sot dhe nuk ka munguar askush që ta paralajmërojë.

Por ajo që m’u duk më e fortë në këtë fjalim dhe që u tha nga Rama vetë, ishte fakti që në 3 minutëshin e fundit ai foli për kërcënimin e ekzistencës së PS-së dhe tha, midis të tjerash, se nëse nuk arrijmë të ndërtojmë urën e dëgjimit me njerëzit, “kjo është pak, por e sigurt që do të ndodhë”.

Rama, nga triumfi i katër mandateve, foli përballë nivelit më të lartë drejtues të PS-së për varrezat e partive dhe lëvizjeve të mëdha politike. Ramës iu desh ta kuptonte me “Revolucionin Flamingo” këtë fakt dhe mua për këtë më vjen keq.

Të flasësh për kërcënimin e ekzistencës së Partisë Socialiste është një dramë shoqërore, një dramë sociale. Unë e di urrejtjen e madhe që mund të jetë mbledhur së fundmi mbi këtë subjekt, i cili, për mendimin tim, nuk meriton aspak këtë shpoti të madhe për fajin e disa individëve që shohin më shumë karrigen sesa reflektimin e masave; për fajin e kadastrës, OSHEE-së, doganave, tatimeve, policisë dhe, pse jo, edhe të vetë Ramës, i cili ndonjëherë, për qëllimin e tij filozofik të “rrugës së tretë”, i ka rënë dhe shkurt, etj., etj. Të gjitha këto ndërmarrje dhe institucione kanë keqpërdorur besimin e socialistëve.

Rama foli për kërcënimin që partitë e vdekura patën nga bashkëpunimi me klientelizmin dhe se në fund kaluan dimra të mëdhenj e histori të tjera si këto.

Por në fund të ditës, Kryeministër, në fakt edhe ti, padashur, je një peng i kësaj situate, i kësaj vorbulle.

Kam një shembull personal për këtë, një shembull faktik.

Në janar të vitit 2018 shkrova një raport prej 26 faqesh mbi analizën e gjendjes së universiteteve në Shqipëri. Nuk po jap detaje, por ishte një analizë që tregonte gjendjen e studentëve dhe ishte një paralajmërim se herët a vonë një situatë revolte aty do të ndodhte. Edhe si një profeci, për të cilën flas pa më të voglën modesti, 11 muaj më vonë, më 6 dhjetor të po atij viti, plasi protesta e studentëve, goditja e parë e madhe politike, opozitare dhe shoqërore ndaj Ramës dhe pushtetit.

Unë isha aktivist i Partisë Socialiste. Ia tregova këtë, bashkë me kryetarin e FRESSH-it të asaj kohe, Eljo Hyskajn, ish-zv/Ministrit të Arsimit të kohës, Ervin Demos, dhe ia treguam edhe Taulant Ballës, Sekretar i Përgjithshëm në atë kohë. Askush prej tyre nuk e mori seriozisht. Askush nuk arriti ta dëgjonte. Ne, rinia e PS-së, i paraprimë atij fakti.

Pasi gjëma ndodhi, Rama u ankua pikërisht për ata që e parashikuan këtë fakt, rininë socialiste. Gjeti “kokën e turkut” te FRESSH-i dhe paralajmëroi shkrirjen e tij. Nuk gjenim dot mundësi që unë personalisht, në ato kohë, t’i tregoja se ne e kishim parashikuar, ne e dinim çfarë po ndodhte. E megjithatë, me atë “rapadupën” e tij politike, Rama ia doli asaj proteste.

Ndërkohë, për theksim, në kohën kur zhvillohej protesta e studentëve, Forumi i Tiranës bënte zgjedhje. Mes një vale shantazhi, linçimi të jashtëzakonshëm me thirrje si gjoja “sufllaqexhinj” e shumë gjëra të tjera, saqë edhe vetë Ramën e kompleksoi kjo situatë për evidentimin që po i bëhej rinisë.

Nuk kishte asnjë krahëmbajtje; ne ia dolëm vetë. Me sheshin kundër dhe me Ramën indiferent, vetëm Veliaj i ka qëndruar afër asaj situate, por edhe ai nuk e ka lexuar thellë atë situatë.

Kështu ne rigjeneruam Forumin e Tiranës mes valës së goditjeve. Unë kam qenë Sekretar Organizativ për 4 vite. I dhamë një frymë tjetër forumit, krijuam fushata të jashtëzakonshme, nga objektivat e qëndrueshme që sot janë baza e “Flamingove”, nga ura mes aktivizmit, ideologjisë dhe dëshirave të gjeneratës me nevojat e saj. Alternuam politikat e mëdha me kontributin që mund të jepnim ne në rolin tonë.

Edhe ne afruam shumë të rinj, por këtë pak e dëgjuan. Edhe këtë përgjegjësi nuk e pashë unë në këtë “prani besnike” për të cilën foli Rama, pikërisht faktin e pandryshueshëm që edhe ai vetë nuk e ka dëgjuar thirrjen e një perspektive, me mendimin se gjetjet e tij politike do të ishin vetë koha politike e ekzistencës.

Ne ishim të parët që folëm për luftën në Ukrainë, ftuam ambasadorin dhe më pas doli një valë shoqërore që e bëri këtë. Ne dëgjuam Lea Ypin, dëgjuam Falma Fshazin, dëgjuam të gjitha këto figura që prej kohësh flisnin për mendimin kritik, pikërisht për atë qasje që e largonte partinë nga klientelizmi dhe e ftonte drejt masave.

Po, po, ishim ne që e bëmë këtë, Edi Rama.

Më pas, në zgjedhjet e fundit, u bë një e ashtuquajtur Akademi Politike, e cila si filozofi ishte diçka e mirë në dukje, por mënyra sesi u bë ishte pikërisht ajo mungesa e empatisë, ishte pikërisht ai asgjësim i pranisë besnike. Sepse kur ua lë disa njerëzve në dorë për ta bërë, ata nuk mendojnë sesi të afrojnë më shumë njerëz, por mendojnë sesi t’i bien më shumë në sy pushtetit të tij.

Edhe Akademia, në thelb, doli një pacavure që asgjësoi një gjeneratë të tërë në PS, figura që kishin pikërisht atë element të pranisë besnike.

Ndaj ngjarja është e paralajmëruar.

I gjithë fjalimi i sotëm ishte një thirrje për reflektim, që në fakt duhet të ketë energjinë e madhe të vetë atij që e serviri, për ta parë mendimin kritik si aleatin e vetëm për të mos lejuar kërcënimin e ekzistencës së Partisë Socialiste, pa të cilën edhe ai vetë nuk do t’i kishte ato fitore që kishte.

Ka qenë e paralajmëruar.