Ndotja e ujit të pijshëm në Gostivar që shkaktoi një epidemi me rreth 4 mijë banorë të prekur po vihet nën kontroll, por uji në qytet vazhdon të mos lejohet për përdorim.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha të dielën se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 80 raste të reja, rreth gjysma e numrit të ditëve të mëparshme. Sipas tij, analizat tregojnë se uji nuk mund të përdoret ende as për larje, pasi procesi i dezinfektimit nuk ka përfunduar dhe kontrollet vazhdojnë në disa pika të rrjetit.
“Sot kemi rreth 80 raste të reja të raportuara, që është dy herë më pak se numrat e mëparshëm dhe kjo tregon qartë se jemi në një trend rënës. Numri i përgjithshëm i të prekurve është rreth 4.000. Deri më tani janë regjistruar 750 raste të sëmundjeve ngjitëse, ndërsa janë intervistuar epidemiologjikisht 490 persona. Mund të them se epidemia po hyn në fazën e qetësimit dhe tani fillon faza e analizës së plotë epidemiologjike për të përcaktuar kronologjinë e ngjarjeve. Në këtë fazë duhet të bëhet dallimi mes rasteve të lidhura me epideminë dhe atyre të gastroenteriteve të zakonshme”, deklaroi Klekovski.
Kujtojmë se prej 10 ditësh në Gostivar është shpallur epidemia ndërsa me 21 korrik Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendjen e krizës 30-ditore, pasi mijëra banorë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të problemeve gastrointestinale. Hetimet zbuluan se në tubacionin kryesor të ujësjellësit ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste ujë nga lumi Vardar në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm.
Analizat laboratorike të publikuara nga Prokuroria më 20 korrik treguan se niveli i baktereve në ujë ishte 48 herë mbi kufirin e lejuar. Për këtë rast janë arrestuar tre zyrtarë të ndërmarrjes publike të ujësjellësit, ndërsa hetimet vijojnë.










