Donald Trump është i lodhur nga lufta me Iranin, e cila ka hyrë në muajin e pestë pa një rrugë të qartë drejt përfundimit, ndërsa presidenti amerikan kishte menduar se konflikti do të zgjaste vetëm disa javë.

Sipas Wall Street Journal, Trump ndodhet në një “modalitet hakmarrjeje”. Në një takim të fundit në Zyrën Ovale, ai raportohet se i ka cilësuar udhëheqësit iranianë si “fundërrina” dhe “të çmendur”, duke përdorur edhe një seri tjetër fjalësh fyese. Këto deklarata nuk kanë habitur, pasi presidenti amerikan ka bërë komente të ngjashme edhe publikisht.

Ndërkohë, forca të reja amerikane po drejtohen drejt Lindjes së Mesme, duke i dhënë Trumpit më shumë mundësi në rast se ai vendos të vazhdojë përshkallëzimin ushtarak. Vetë presidenti ka deklaruar se “problemi i Iranit po zhduket dita-ditës”, ndërsa ka thirrur një tjetër takim me ministrat dhe këshilltarët e tij për të diskutuar situatën.

Pavarësisht se ka lënë të hapur mundësinë e dialogut, duke thënë se “SHBA po flet me Iranin pikërisht tani”, përpjekjet diplomatike duket se po përballen me pengesa. Sipas New York Times, kryeministri irakian Ali Al Zaidi, pas një vizite në Shtëpinë e Bardhë, i ka propozuar Teheranit një armëpushim gjatë një vizite në Iran, por regjimi iranian e ka refuzuar, duke deklaruar se problemi nuk është mungesa e ndërmjetësuesve, por “qasjeja amerikane”.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po përpiqet të përfshijë edhe vendet europiane për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë.

Brenda administratës amerikane ekzistojnë shqetësime se konflikti mund të ndikojë negativisht në zgjedhjet e mesmandatit për republikanët, për shkak të rritjes së çmimeve, rënies së mbështetjes për Trumpin dhe humbjeve të ushtarëve amerikanë. Sipas raportimeve, numri i viktimave amerikane në këtë luftë është raportuar fillimisht 18, ndërsa Pentagoni më pas e ka ulur në 14, pa dhënë një sqarim të plotë për ndryshimin.