Nga Arsejda Gjyli
Në vitet 2013–2015 angazhimi im studimor politik ishte i fokusuar përveç të tjerash edhe në studime të thelluara mbi reformën Administrative – Territoriale në Shqipëri, mbi parimet e decentralizimit sipas Bashkimit Evropian dhe mbi kontradiktën që ekziston mes politikave të decentralizimit dhe tendencave rajonalizuese që implementohen nga BE-ja.
Vlerësimi im edhe sot mbetet se reforma e vitit 2015 ishte, në thelb, një reformë decentralizuese. Ajo synoi krijimin e njësive vendore më të fuqishme financiarisht dhe administrativisht, me kapacitete më të mëdha për të ofruar shërbime cilësore dhe për të planifikuar zhvillimin ekonomik lokal. Problemi nuk ishte filozofia e reformës, por mënyra e zbatimit të saj, niveli i decentralizimit fiskal dhe mungesa e transferimit real të kompetencave nga qeveria qendrore tek pushteti vendor.
Sot debati për një Reformë të re Asministrative – Territoriale po zhvillohet në dy drejtime:
Njëra qasje, e mbështetur nga mazhoranca, shkon drejt rajonalizimit. Kjo nënkupton krijimin e strukturave rajonale me më shumë kompetenca, duke përqendruar një pjesë të vendimmarrjes mbi bashkitë. Ky model mund të jetë në përputhje me politikat rajonale të Bashkimit Evropian për menaxhimin e fondeve dhe planifikimin rajonal, por në praktikën shqiptare mbart rrezikun e një centralizimi të ri. Në vend që kompetencat të zbresin më afër qytetarit, ato mund të ngjiten në një nivel tjetër administrativ, duke e larguar vendimmarrjen nga komuniteti lokal.
Nga ana tjetër, propozimet e opozitës për shtimin e numrit të bashkive synojnë rikthimin e afërsisë me qytetarin dhe forcimin e përfaqësimit lokal. Megjithatë, nëse kjo bëhet pa kritere objektive demografike, ekonomike dhe funksionale, rrezikon të prodhojë fragmentarizim administrativ. Bashki shumë të vogla nuk kanë bazë fiskale të mjaftueshme, nuk krijojnë ekonomi shkalle dhe varen pothuajse tërësisht nga buxheti i shtetit. Kjo nuk është decentralizim real; është copëzim administrativ.
Si mund ta decentralizojmë pushtetin pa e fragmentarizuar territorin?
Përgjigjja nuk është as rajonalizimi që centralizon dhe as copëzimi që dobëson institucionet vendore. Zgjidhja duhet të mbështetet në disa parime.
Së pari, decentralizimi duhet të jetë funksional dhe jo vetëm territorial. Nuk ka rëndësi vetëm sa Bashki ekzistojnë, por çfarë kompetencash, çfarë burimesh financiare dhe çfarë autonomie reale kanë ato.
Së dyti, aty ku një Bashki është shumë e madhe dhe qytetarët nuk marrin shërbim cilësor, mund të krijohen bashki të reja vetëm mbi baza objektive: popullsia, distanca gjeografike, lidhjet ekonomike, infrastruktura dhe qëndrueshmëria financiare. Nuk duhet të krijohen Bashki për interesa politike apo elektorale. Por mbi bazën e ndërtimit të infrastrukturës së duhur dhe parimit të demokracisë vendore.
Së treti, nuk është e nevojshme të hiqen apo shtohen Bashkitë ekzistuese për të afruar shërbimet. Mund të forcohen Njësitë Administrative, zyrat vendore të shërbimeve dhe administrata në terren. Qytetari ka nevojë për shërbim afër vendbanimit, jo domosdoshmërisht për një Bashki të re.
Së katërti, çdo ndryshim duhet të garantojë që vendet e punës të mos cenohen padrejtësisht. Reforma nuk duhet të jetë një proces shkurtimesh masive, por një proces riorganizimi. Punonjësit me eksperiencë mund të transferohen në njësitë e reja administrative, në agjencitë rajonale ose në shërbime të decentralizuara. Administrata nuk duhet parë si kosto politike, por si kapital institucional që duhet menaxhuar me kujdes.
Së pesti, çdo Bashki e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ajo duhet të ketë kapacitete administrative, burime financiare, infrastrukturë, akses në shërbime publike dhe mundësi reale zhvillimi ekonomik. Përndryshe krijohen institucione të dobëta që nuk mund të përmbushin detyrimet ligjore.
Po aq e rëndësishme është që decentralizimi të shoqërohet me decentralizim fiskal. Nëse bashkitë vazhdojnë të varen nga transfertat e qeverisë qendrore, pavarësisht kufijve territorialë, autonomia e tyre mbetet formale. Bashkia duhet të ketë të ardhura të mjaftueshme, kompetenca për menaxhimin e tyre dhe përgjegjësi të qartë për rezultatet.
Në përfundim, reforma e ardhshme administrativo-territoriale nuk duhet të udhëhiqet nga logjika politike, por nga interesi publik. Shqipërisë nuk i duhet as një centralizim i ri përmes rajonalizimit dhe as një fragmentarizim përmes shtimit të pakontrolluar të Bashkive. I duhet një model që kombinon decentralizimin real, efikasitetin administrativ, qëndrueshmërinë financiare dhe afërsinë e shërbimeve me qytetarin. Vetëm një Reformë e ndërtuar mbi këto parime mund të forcojë demokracinë vendore dhe të krijojë një administratë që i shërben zhvillimit të vendit, e jo interesave afatshkurtra politike.










