Nga Adriatik Doçi/

Deputeti Agron Shehaj vijon të shtojë mjegullnajën rreth vilës që bleu për 2.9 milionë euro në vitin 2021, të cilën e shiti për 15 milionë euro në vitin 2025, duke ngritur dyshime serioze për pastrim parash dhe mashtrim me deklarimin e pasurisë.

Në deklaratën e pasurisë së vitit 2021, Agron Shehaj deklaron blerjen e vilës 251 m2, për 2.9 milionë euro, me burim të ardhura nga shitja e aseteve dhe nga biznesi.

Në deklaratën e pasurisë së vitit 2025, Shehaj deklaron shitjen e të njëjtës vilë për 15 milionë euro. Për të justifikuar vlerën, Agron Shehaj thotë se Forte dei Marmi është një nga zonat më të shtrenjta në Itali. Shehaj ka shitur me 60 mijë euro 1 m2. Por, vlera e tregut është deri në 5 mijë euro m2, ndërkohë që vila rezulton larg vijës bregdetare.

Ku hyn SPAK-u këtu?

Kur u shfaq para shtëpisë së Edi Ramës në Surrel, Agron Shehaj tha se vila nuk ishte aq sa e kishte deklaruar në ILDKPKI 251 m2, por rreth 500 m2, duke pranuar kësisoj konsumimin e veprës penale të deklarimit të rremë të pasurisë.

Dy ditë më parë, Agron Sheahj u shfaq në Forte dei Marmi duke treguar vilat e tij. Duke pretenduar se po bën transparencë, Shehaj thotë se vilën 2.9 milionë euro e ka blerë në 2019, ndërkohë që në ILDKPKI e deklaron në 2021. Në 2019, Shehaj deklaron se ka blerë një ndërtesë dhe truall 2.9 milionë euro, por nuk deklaron sipërfaqen, duke pamundësuar identifikimin nëse bëhej fjalë për të njëjtën pasuri. Po nëse ështē e njëjta pse duhet t’a deklaronte sërisht në 2021?

Për të justifikuar vlerën 15 milionë euro, përpos dyfishimit të sipërfaqes ndryshe nga sa e ka deklaruar në ILKKPKI, Shehaj shtoi edhe një element tjetër, teksa tha se kishte investuar në vilë 4 milionë euro. Në deklaratat periodike të pasurisë së Agron Shehaj nuk rezulton i deklaruar asnjë shpenzim me vlerë 4 milionë euro, për të investuar në vilën e pretenduar./Marrë nga profili në Facebook