Kampionët e Shqipërisë do të zbresin në fushë sot për raundin e dytë të kualifikueseve të Champions League kundër NK Celje të Sllovenisë. Rrogozhinat e zhvillojnë në shtëpi ndeshjen e parë në sfidën që starton nga ora 21:00 në “Arena Egnatia.”
Atmosfera duket e mirë në kampin e kampionëve shqiptarë, për të arritur një rezultat pozitiv që do t’i jepte një dorë të madhe formacionit të drejtuar nga Nevil Dede përpara ndeshjes së kthimit në tokën sllovene.
Një kualifikim ndaj Celjes do ta vendoste skuadrën vetëm një hap larg fazës së ligës së Ligës së Kampioneve, ndërsa në të njëjtën kohë do t’i siguronte matematikisht pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Conference League, pavarësisht ecurisë në raundet pasardhëse.
Motivimi te rrogozhinasit vjen edhe për shkak të një super suksesi që arritën në raundin e parë pas fitores 6-1 në ndeshjen e kthimit kundër Petroclub të Moldavisë.
Pikërisht kjo paraqitje spektakolare ndaj Petrokubit nuk pritet t’i lërë shumë dilema trajnerit Nevil Dede, cili mësohet se do të paraqitet me një formacion pa ndryshime të mëdha.
Në letër, Celje konsiderohet kundërshtari më i fortë me të cilin Egnatia është përballur në këtë edicion europian, pasi kampionët sllovenë kanë më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare
Nëse Egnatia nuk i kalon dot sllovenët, kualifikimi me Petroklub i ka garantuar rrogozhinasve minimalisht fazën “play-off” të Ligës së Konferencës.
Sa i përket sfidës së kthimit, Celje-Egnatia është programuar për të martën e javës që vjen, më 28 korrik, në stadiumin “Stadion Z’dezele”, me fillim në orën 20:15.










