Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, deklaroi se siguria ushqimore do të jetë një nga prioritetet kryesore të kontrolleve gjatë sezonit turistik në qarkun e Dibrës.

Në një prononcim për mediat, Sula tha se me rritjen e fluksit të turistëve gjatë verës do të intensifikohen inspektimet në subjektet që tregtojnë dhe përpunojnë produkte ushqimore, me synim garantimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë për qytetarët dhe vizitorët.

Kreu i Inspektoratit u ndal edhe te siguria në minierat e Bulqizës, duke theksuar se gjatë vitit 2026 janë regjistruar tre aksidente në punë, pa asnjë humbje jete. Sipas tij, kontrollet do të shtohen për respektimin e standardeve të sigurisë në punë, gjendjen teknike të galerive dhe pajisjeve, si dhe për parandalimin e aksidenteve.

Sula njoftoi se do të forcohen edhe kontrollet veterinare në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, nga ku kalon një pjesë e konsiderueshme e importit të gjësë së gjallë. Ai tha se synimi është garantimi i zbatimit të protokolleve shëndetësore dhe të karantinës për të parandaluar hyrjen e sëmundjeve infektive.

Sipas tij, pjesë e planit të masave janë edhe parandalimi i zjarreve në zonat pyjore, monitorimi i sigurisë rrugore në akset me fluks turistik, si dhe kontrollet për mbrojtjen e mjedisit ndaj ndotjes nga aktiviteti minerar dhe industrial.

Në përfundim, Dashnor Sula theksoi se bashkëpunimi mes institucioneve është kyç për zbatimin e këtyre masave, duke garantuar se strukturat inspektuese do të jenë të pranishme në terren gjatë gjithë sezonit.