Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një vale të re bombardimesh ruse që goditën Kievin dhe zonat përreth gjatë natës, vetëm pak orë përpara nisjes së samitit të NATO-s në Turqi, ku lufta në Ukrainë pritet të jetë tema kryesore e diskutimeve.

Sipas autoriteteve ukrainase, 15 persona u vranë në kryeqytetin Kiev, ndërsa shtatë të tjerë humbën jetën në qytetin Vishnevo, në periferi të kryeqytetit. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënoja, pasi ka ende persona të zhdukur.

Gazetarët e AFP-së raportuan se ekipet e emergjencës nxorën trupa nga rrënojat e një pallati tetëkatësh në Kiev, ndërsa britmat e familjarëve dëgjoheshin në vendngjarje.