Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është zotuar të mërkurën se do ta shkatërrojë një urë ose një termocentral në Iran, sa herë që Teherani e sulmon ndonjë anije në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ky çast e tutje, sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, predhë, dron apo me çfarëdo pajisjeje ose arme tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe do të shkatërrojnë një urë ose një termocentral”, shkroi Trump në një postim në rrjetin Truth Social.
Kërcënimi nga Trump vjen gjithashtu pasi forcat përfaqësuese të Iranit në Jemen, huthët, kërcënuan me sulme ndaj një rruge tjetër jetike për transportin e naftës botërore.
Pesë cisterna nafte ndryshuan kurs në Detin e Kuq të mërkurën për të shmangur Ngushticën Bab el-Mandeb, një ditë pasi kërcënimi i huthëve për të bllokuar eksportet saudite të naftës nxori në pah një rrezik të ri për furnizimet globale me naftë, si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit.
Tri cisterna të ngarkuara me naftë saudite për Kinën dhe Indinë u kthyen mbrapsht të martën.
Në përgjigje të kërcënimit të Trumpit ndaj infrastrukturës iraniane, një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi më 22 korrik se “asnjë infrastrukturë nuk do të jetë e sigurt”, nëse Shtetet e Bashkuara zbatojnë kërcënimin e presidentit Trump për t’i goditur urat dhe termocentralet iraniane si përgjigje ndaj sulmeve mbi anijet në Ngushticën e Hormuzit.
“Nëse siguria jonë nuk garantohet, asnjë infrastrukturë nuk do të jetë e sigurt”, shkroi në rrjetin X Mohammad Baqer Qalibaf, kryetar i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor në bisedimet për armëpushim.
Qalibaf tha gjithashtu se siguria në Ngushticën e Hormuzit mund të rikthehet vetëm “në mungesë të forcave amerikane”, duke shtuar se “situata në ngushticë nuk do të kthehet më në gjendjen që ishte para luftës”.
Bllokada pothuajse e plotë e Ngushticës së Hormuzit nga Irani në Gjirin Persik ka nxitur rritjen e inflacionit në mbarë botën, ndërsa rreziku i ri për transportin detar nga Huthët, të cilët kontrollojnë zona pranë Ngushticës Bab el-Mandeb, i çoi çmimet e naftës pranë nivelit më të lartë në gati gjashtë javë.
Miliona fuçi naftë saudite në ditë janë transportuar drejt portit Yanbu të Arabisë Saudite në Detin e Kuq për të shmangur Ngushticën e Hormuzit.










