Vala e re e të nxehtit ka përkeqësuar situatën me zjarret në jugperëndim të Francës, ku mijëra zjarrfikës po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët që kanë përfshirë rajonin e Girondës.

Autoritetet franceze paralajmërojnë se temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, duke rritur rrezikun e përhapjes së zjarreve. Vetëm gjatë së martës u raportuan shpërthime të reja në 14 zona që ishin goditur më parë nga flakët.

Rreth 2 mijë zjarrfikës janë angazhuar në terren, ndërsa zëdhënësi i federatës kombëtare të zjarrfikësve e përshkroi betejën me flakët si “Davidi kundër Goliathit”. Sipas tij, katër zjarrfikës kanë humbur jetën në Francë javët e fundit.

Zjarret kanë detyruar evakuimin e mbi 220 mijë personave në të gjithë vendin, ndërsa vetëm në zonën e Lacanau u larguan rreth 4 mijë turistë. Deri tani janë shkatërruar rreth 240 banesa.

Edhe pse qyteti i Bordeaux nuk është aktualisht nën kërcënim të drejtpërdrejtë, tymi i dendur ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit. Banorët dhe turistët janë detyruar të mbajnë maska, ndërsa disa restorante dhe biznese kanë pezulluar aktivitetin.

Ndërkohë, situata mbetet e vështirë edhe në Spanjë dhe Portugali, ku temperaturat e larta dhe thatësira po favorizojnë përhapjen e zjarreve. Në Francë, autoritetet kanë arrestuar 184 persona që nga fillimi i korrikut nën dyshimin për përfshirje në zjarrvënie.