Këshilli i Ministrave pritet të marrë javën e ardhshme vendimin zyrtar për pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza. Lajmin e ka bërë me dije Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë një komunikimi me gazetarët, ku sqaroi hapat që do të ndiqen për dërgimin e ushtarakëve shqiptarë.

“Javën që vjen me shumë mundësi do marrë Këshilli i Ministrave vendimin lidhur me dërgimin e trupave në Gaza. Ne do dërgojmë oficera shtabi në shtabin e Forcave Ndërkombëtare Stabilizuese, Shqipëria do jetë pjesë e këtyre trupave, kemi bërë një mision për shqyrtimin e territorit, pas atij misioni do dërgojmë oficerët e shtabit, dhe do bëhet vlerësimi edhe angazhimin e trupave konkretë, dhe aty do specifikojmë sa trupa do dërgohen dhe ku do dërgohen specifikisht dhe cili do jetë misioni i tyre konkretë,” deklaroi Nufi.

I pyetur për organizimin e Samitit të NATO-s në Shqipëri, ministri konfirmoi se vendimmarrja është mbyllur në nivel aleance dhe se vendi ka ngritur një task forcë, ndërsa data përfundimtare pret konfirmimin zyrtar nga NATO.

“Që Samiti i NATO-s do zhvillohet në Tiranë është vendosur në Hagë. Zhvillimin e samiteve e vendosin krerët e shteteve. A do jetë në 2027-ën apo 2028-ën do bëhet me dije nga aleanca. Ne kemi ngritur task forcën. Me caktimin e datës do kemi angazhimin e task forcës, duke marrë masa konkrete, për sigurinë, transportin,” tha ministri i Mbrojtjes.