Policia ka zbardhur vrasjen e 40-vjeçarit Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrat alias Lika, Kokaj dhe Nure, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Kurbin.
Sipas njoftimit zyrtar, pas hetimeve intensive të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë, është identifikuar si autori kryesor i dyshuar Emiljan Suti, i njohur edhe me identitetin Artur Suti, 40 vjeç, banues në Laç.
40-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërsa policia ka nisur kontrolle intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Nga verifikimet e kryera rezulton se Suti ka precedentë të theksuar penalë. Ai është dënuar më parë me pesë vite burg për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ka precedent për armëmbajtje pa leje, si dhe rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.
Për kapjen e tij janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, në mbështetje të strukturave vendore të policisë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në vrasje.










