Një zjarr i madh që shpërtheu mesditën e së martës, 28 korrik, në zonën e Kambit në ishullin grek të Parosit, vijon të jetë jashtë kontrollit, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e katër vendbanimeve për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve.

Zjarri ka përfshirë mbeturina dhe bimësi të ulët, ndërsa erërat e forta po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në zonën e prekur ndodhen edhe banesa të shpërndara, duke rritur shqetësimin për sigurinë e banorëve.

Për shkak të situatës së rënduar, Shërbimi Zjarrfikës ka përforcuar forcat në terren. Më herët, sistemi i emergjencave 112 dërgoi mesazhe për evakuimin e banorëve nga Agios Charalambos-Kambi, Bougados, Aneratzia dhe Kamari.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 24 zjarrfikës me 5 automjete, ndërsa dy zjarrfikës me një automjet mbërritën me traget nga ishulli i Naksosit për të ndihmuar në operacion.

Nga ajri po operojnë 9 avionë zjarrfikës dhe 5 helikopterë, të cilët po kryejnë hedhje të vazhdueshme uji mbi vatrat e zjarrit. Në mbështetje të operacionit janë angazhuar gjithashtu vullnetarë dhe Bashkia e Parosit, me dy autobote uji dhe një mjet ndërtimi.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e evakuimit dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara, ndërsa përpjekjet për vënien nën kontroll të zjarrit vijojnë.