Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Në terren po operojnë gjithashtu 167 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Në Dajt vijon ndërhyrja e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga një helikopter i Forcës Ajrore. Në Priskë të Madhe operojnë 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.

Zjarri në Patos, ndërhyrje edhe nga ajri

Në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit të vatrës, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca policore e pyjore dhe vullnetarë. Ndërhyrja u mbështet edhe nga dy avionë “Air Tractor”.

Operacioni vijon edhe sot me 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Vijojnë operacionet në Krujë dhe Përmet

Në Krujë, ndërhyrjet vijojnë në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet mbështetja e 58 efektivëve të FA-së dhe dy helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, së bashku me forcat e ADZM-së dhe strukturat vendore.

Aktualisht, sipas autoriteteve, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Nëmerçkë operacioni po vijon me forcat e MZSH-së, bashkisë dhe 25 efektivë të FA-së. Në malin Dhëmbel po punojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit, të mbështetura nga 30 efektivë ushtarakë. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Gurë-Lurë, një nga operacionet më të rëndësishme

Një nga ndërhyrjet më të mëdha po zhvillohet në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM, vullnetarë, si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.

Për shkak të afërsisë së flakëve me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre me qëllim mbrojtjen e komunitetit.

Aktiv edhe zjarri në malin e Moravës

Në malin e Moravës, bashkia Devoll, vijon të jetë aktive një vatër zjarri në një zonë të mbrojtur me pyll pishe.

Në terren po punojnë forcat e MZSH-së së Devollit dhe Korçës, së bashku me shërbimin pyjor. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes njofton se operacionet do të vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me fokus mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve, frenimin e përhapjes së zjarreve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive.